Mbi 600 vetëvrasje në Kosovë në dekadën e fundit, për një muaj 4 vetëvrasje veç në Prizren

08:32 | 21 Janar 2024
mbi-600-vetevrasje-ne-kosove-ne-dekaden-e-fundit,-per-nje-muaj-4-vetevrasje-vec-ne-prizren

Katër vetëvrasje në më pak se një muaj janë kryer në Kosovë vetëm në rajonin e Prizrenit.

I fundit në këto raste është pikërisht në qytetin e Prizrenit të mërkurën.

Aty dyshohet se personi që ka bërë vetëvrasje është pronari i ordinancës private ”Kiseri Dent”.

Lajmin, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, shkruan Front Online.

Kurse, rastet e tjera kanë ndodhur njëri më 25 dhjetori, ku 55 vjeçari Shefqet Krasniqi, ish-luftëtar i UÇK-së i dha fund jetës, duke ia vënë flakën vetes derisa ndodhej brenda veturës.

Rasti tjetër ka ndodhur më 10 janar ky një 24-vjeçar i cili dyshohet se kreu vetëvrasje me kallashnikov.

E, vetëm një ditë më vonë më 11 janar në fshatin Manastiricë të Prizrenit, Policia gjeti trupin e pa jetë të 60 vjeçarit Fait Kuljiç, të shtrirë në dysheme dhe një kabllo të varur lart.

Për rastet e vetëvrasjeve në Kosovë kanë folur edhe nga Policia e Kosovës.

Nga Policia kanë treguar se sa është numri i vetëvrasjeve në vend, për periudhën janar-nëntor 2023.

“Në periudhën janar-nëntor të vitit 2023 kanë ndodhur 39 vetëvrasje. Kurse në vitin 2022 kanë ndodhur gjithsej 43 vetëvrasje”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Front Online.

Por, cilët janë faktorët që po shtyjnë individët deri në vetëvrasje dhe a është bërë fenomen shqetësues ky në Kosovë për Front Online kanë folur psikologë dhe sociologë.

 

Sociologia Ademi: Dukuria e vetëvrasjes në Kosovë është në rritje

Sociologia Makfire Ademi thotë se  dukuria e vetëvrasjes në Kosovë është duke u rritur.

Madje, sipas saj rastet e vetëvrasjes vitin e kaluar ishin të shpeshta.

“Kjo dukuri  negative është duke shkuar drejt rritjes andaj mbetet sfidë për institucionet dhe shoqërinë në përgjithësi”, ka thënë ajo për Front Online.

Ademi, ka treguar edhe faktorët të cilët mund të shtyjnë individin të bëj vetëvrasje.

“Duke pasur parasysh studimet mbi aktin e vetëvrasjes mund të themi se shpesh faktori social si mos integrimi në shoqëri, mos përfshirja e individit në rrethin ku jeton, shtyen individin deri në vetëvrasje. Gjithashtu, faktorët psikologjik janë të pamohueshëm, ku stresi, depresioni, ankthi janë periudha të rënda që te disa individ shkojnë në përshkallëzim të situatës gjë që i shtyen individët në vetëvrasje. Kur flasim për faktorët psikologjik, shëndeti mendor është primar për çdo individ andaj, konsultat e rregullta  me psikologët do të ishin ideale në mënjanimin apo zbutjen e gjendjes së rënduar psikologjike për secilin”, është shprehur Ademi.

Ajo, ka treguar edhe faktorët e tjerë që mund të ndikojnë që individi të kryej vetëvrasje.

“Gjithsesi, individi është i lidhur ngushtë me kulturën dhe rrethin social ku jeton, andaj disa nga faktorët social që mund të shtyjnë individin në aktin e vetëvrasjes  janë të konsiderueshëm, si ata ekonomik, stigmatizimi në shoqëri , mos integrimi, paragjykimet, përqeshja nga të tjerët apo bullizmi i cili zakonisht atakon moshat e reja, të cilët nuk mund të përballojnë talljet nga rrethi, shoqëria ku veprojnë apo vendi i tyre i punës”, është shprehur Ademi.

Derisa ka folur për faktorët që shtyjnë në vetëvrasje, sociologia Ademi, thotë se nga kjo dukuri po preken më së shumti të rinjtë gjë që tregon se rinia po kalon në periudha të vështira.

“Ndër vite, në Kosovë raportohet për rastet e vetëvrasjes të cilat dallojnë nga rasti në rast, gjithashtu, motivet janë nga më të ndryshmet, andaj nuk mund të themi se për x motivin individët janë të prirur për kryerjen e vetëvrasjes, por që nga të gjitha rastet më së shumti u raportua për moshat kryesisht të reja gjë që na tregon se rinia në shoqërinë tonë po kalon periudha të vështira qoftë nga faktorët psikologjik apo ata social”, ka thënë tutje ajo.

 

Psikologu Kastrati: Problemet socio-ekonomike, konfliktet në familje e shëndeti mendor shkaktar të vetëvrasjeve

Ndërsa, psikologu Rron Kastrati, deklaron për Front Online se komuna e Prizrenit kryeson në nivel vendi sa i përket rasteve të vetëvrasjes.

Kastrati ka treguar një numër të faktorëve që po shtyjnë individët të kryejnë vetëvrasje.

“Problemet  socio-ekonomike, mjediset ku personat e tillë kanë ide vetëvrasëse ose tentojnë të kryejnë vetëvrasje vijnë nga familjet të cilat kanë probleme dhe konflikte të njëpasnjëshme. Faktori tjetër që e nxit këtë fenomen shumë famëkeq edhe është mirëqenia e shëndetit mendor që tani aktualisht në Kosovë është e cenueshme. Kur them e cenueshme e kam fjalën për trysnitë socio-ekonomike, financiare”, ka thënë ai për Front Online.

Ai ka përmendur edhe çështjen e depresionit, duke thënë se në jetë të gjithë mund të kenë depresion.

“Qendrat psikiatrike duhet të kenë kujdes të veçuar në këto vlerësime të cilat mund ta shtyjnë personin deri te një depërkufizim, të thotë që unë nuk kam zgjidhje dhe nuk bën asnjë lloj terapie apo trajtimi”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Kastrati, ka kërkuar nga institucionet përkatëse që të ofrohen shërbime psikologjike, në mënyrë që të parandalohen raste të tilla.

“Unë them me bindje të plotë se komuna, institucionet relevante përkatëse duhet të organizojnë kampe, ose qendra komunitare për të ofruar shërbime psikologjike në veçanti, jo vetëm sociale. Gjitha këto kanë për qëllim reduktimin dhe parandalimin e këtyre fenomeneve fatkeqe të cilat trondisin shoqërinë dhe komplet familjen dhe shumë të rinjë kur shohin lajme të tilla ndihen të frikësuar dhe fillojnë të besojnë se ndoshta një ditë mund të përfundojnë si të tillë”, është shprehur ai.

Numri i rasteve vetëvrasje për periudhën 2010 – 2020:

Viti 2010:   Janë evidentuar: 67 vetëvrasje;

Viti 2011:   Janë evidentuar: 52 vetëvrasje;

Viti 2012:   Janë evidentuar: 58 vetëvrasje;

Viti 2013:   Janë evidentuar: 45 vetëvrasje;

Viti 2014:   Janë evidentuar: 77 vetëvrasje;

Viti 2015:   Janë evidentuar: 60 vetëvrasje;

Viti 2016:   Janë evidentuar: 37 vetëvrasje;

Viti 2017:   Janë evidentuar: 32 vetëvrasje;

Viti 2018:   Janë evidentuar: 37 vetëvrasje;

Viti 2019:   Janë evidentuar: 30 vetëvrasje;

Viti 2020:   Janë evidentuar 40 vetëvrasje./Front Online

 

 

Komento: