
Këtë muaj qytetarët sërish do t”i drejtohen kutive të votave.
Kanë mbetur edhe 7 ditë deri në ditën kur do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në 21 komuna të vendit, ndërsa sipas rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në 17 komuna janë shënuar fitore të kandidatëve me mbi 50% të votave.
Vetëvendosje do të ketë më së shumti përballje në balotazh, pasi do të përballet në 12 komuna, LDK është në balotazh në 9 komuna, PDK është në balotazh në 6 komuna, AAK është në balotazh në 5 komuna, kurse NISMA është në balotazh vetëm në komunën e Malishevës, shkruan Reporteri.net.
Më së shumti “kokë me kokë” në balotazh do të përballen partia e Albin Kurtit dhe ajo e Lumir Abdixhikut, gjithsej në 5 komuna.
VV dhe LDK në balotazh do të përballen në Prishtinë, Gjilan, Podujevë, Viti dhe Fushë Kosovë.
Vetëvendosje me PDK-në e drejtuar nga Memli Krasniqi në balotazh do të përballet në tri komuna, në Prizren, Shtime dhe Kaçanik.
Vetëvendosje përballet në dy komuna me partinë e Ramush Haradinajt, në Gjakovë dhe Rahovec.
Kurse dy rivalët e vjetër PDK dhe LDK në balotazh përballen në dy komuna, në Vushtrri, Dragash, shkruan Reporteri.net. LDK përballet edhe me AAK-në në dy komuna në balotazh, në atë të Istogut dhe të Junikut.
Kurse PDK përbasllet me AAK-në në komunën e Klinës.
Vetëvendosje do të përballet në Kamenicë me kandidatin e pavarur, Qëndron Kastrati.
Vetëvendosje do të përballet në komunën e Obiliqit me Xhafer Gashin nga Iniciativa Qytetare.
PDK-ja do të përballet në Drenas me Driton Ajazain nga Iniciativa Demokratët për Drenasin.
PDK-ja do të përballet në Malishevë me NISMA-n e Fatmir Limajt Në komunën e Mamushës në balotazh do të përballen Partia Demokratike Turqve të Kosovës (KDTP) dhe partia e Drejtësisë e Turqve të Kosovës (KATP).
Në komunën e Kllokotit do të përballen Lista Serbe dhe Iniciativa qytetare Harmonia Popullore Serbe – GI SNS.
Kujtojmë se bazuar në rezultatet e KQZ-së, PDK ka fituar katër komuna pa balotazh, Aleanca për AAK dhe LDK nga dy komuna, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore pa balotazh.
PDK ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Hani i Elezit dhe Skenderaj. LDK ka fituar në Pejë dhe Lipjan. AAK ka fituar në Deçan dhe Suharekë.
Ndërkaq, Lista Serbe ka fituar në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, do të mbahet më 14 nëntor.