Memli Krasniqi vazhdon takimet në Bruksel: Diskutova për procesin integrues të Kosovës në BE

19:41 | 01 Dhjetor 2021

Krasniqi në Bruksel edhe sot: Diskutova për procesin integrues të Kosovës në BE.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se edhe sot gjatë qëndrimit në Bruksel është takuar me zyrtarë të Bashkimit Evropian, me të cilët thotë se ka folur për integrimin evropian të Kosovës.

Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka deklaruar se ka diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe për ngecjet në zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim – Asocim.

“Gjatë vizitës në Bruksel, sot takova Drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Europian, Michela Matuella, si dhe shefin e njësisë për Kosovën, Vassilis Maragos. Po ashtu, u takova edhe me eurodeputetin Ilhan Kyuchyuk, i cili është raportues për Kosovën në grupin Reneë Europe, brenda Parlamentit Europian”.

“Folëm për procesin integrues të Kosovës, krahas shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor, thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes shtetit tonë dhe Bashkimit Evropian dhe ngecjet në zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizi – Asocim”.

“Zonjën Matuella dhe eurodeputetin Kyuchyk i falënderova për asistencën, angazhimin dhe mbështetjen ndaj Kosovës në procese të ndryshme. Bashkë u pajtuam që krahas angazhimit të Kosovës edhe BE duhet të krijojë sa më parë një perspektivë të qartë dhe konkrete për shtetin tonë. BE mbetet e vetmja alternativë e Kosovës dhe për këtë mbetemi të palëkundur”, ka thënë Krasniqi.

Komento: