Meshkujt apo femrat, ja kush votoi më shumë në zgjedhjet e fundit në Kosovë

16:02 | 05 Dhjetor 2021

Kosova muaj më parë zhvilloi zgjedhjet lokale.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, meshkujt dolën më shumë për të votuar në krahasim me femrat. Ky konstatim mbështet në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje sipas gjinisë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për KosovaPress, se rreth 46% e votuesve meshkuj të regjistruar morën pjesë në votime. Ndërsa shifra e pjesëmarrjes së femrave është më e ulët, pasi sipas të dhënave të KQZ-së vetëm rreth 38% e votuesve femra dolën për të votuar më 17 tetor.

Sipas listës përfundimtare të votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e tetorit ishte 1 milion e 885 mijë e 448 votues, prej të cilëve rreth 968 mijë ishin votues ishin meshkuj, ndërsa, femra ishin rreth 918 mijë votuese.

“Duke u mbështetur në të dhënat e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga rreth 968 mijë votues meshkuj kanë votuar rreth 46% e tyre apo rreth 443 mijë votues, ndërsa nga rreth 918 mijë votuese të regjistruar, kanë votuar rreth 38% apo gati 345 mijë votuese”, deklaroi Elezi.

Elezi shpjegon se jo vetëm në këtë proces zgjedhor, por edhe në 8 procese të tjera zgjedhore që nga viti 2009, pjesëmarrja në votime ka qenë gati gjithmonë më e lartë te meshkujt, me përjashtim të zgjedhjeve lokale në vitin 2013.

“Pjesëmarrja në votime, që nga viti 2009 dhe deri në zgjedhjet e fundit të 17 tetorit, është më e lartë te meshkujt. Kjo nuk vlen vetëm për zgjedhjet lokale 2013 kur është regjistruar pjesëmarrja më e lartë e femrave në historinë e zgjedhjeve në Kosovë. Kjo pjesëmarrja, ishte dukshëm më e lartë edhe në raport me meshkujt për rreth 38 mijë votuese më shumë”, vijoi Elezi.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kishin votuar 425. 186 femra nga 867. 36 sa ishin të regjistruara apo 49.04% e tyre. Kjo shifër ishte më e lartë për rreth 38 mijë votues më shumë krahasuar me votuesit meshkuj. Në atë proces zgjedhor kishin votuar 387.627 meshkuj nga 912 .321 të regjistruar apo 42.49% e tyre.

Për zgjedhjet lokale që u mbajtur më 17 tetor, KQZ-ja kishte certifikuar 89 subjekte politike dhe rreth 5 mijë e 370 kandidatë, prej të cilëve 166 kandidatë për kryetarë të komunave, kurse pjesa tjetër kandidatë për Kuvende Komunale. Nga ky numër kandidatësh, më shumë se 3 mijë e 400 ishin kandidatë meshkuj, ndërsa vetëm 1 mijë e 951 femra.

Komento: