Messi me reagim të ‘ashpër’ ndaj ish-kolegut të tij

21:40 | 04 Shkurt 2020

Leo Messi ka bërë një reagim të ashpër ndaj ish-kolegut.

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, i është përgjigjur ashpër ish kolegut të tij, Eric Abidal, i cili ka kritikuar ashpër një pjesë të lojtarëve të ‘Blaugranëve’, për shfaqjet e tyre në fushë.

Abidal i cili ka luajtur përkrah Messit në ‘Camp Nou’ tani vepron si sekretar teknik i Barcelonës, dhe së fundi ka dhënë një intervistë për ‘Sport’.

Gjatë bisedës, francezi tha që një pjesë e lojtarëve nuk i plotësonte pritshmëritë nën urdhrat e ish trajnerit Ernesto Valverde.

“Shumë lojtarë nuk ishin të lumtur dhe nuk punuam shumë, gjithashtu pati edhe një problem me komunikimin e brendshëm”, ka deklaruar Abidal.

“Marrëdhënia mes trajnerit dhe dhomës së zhveshjes ishte gjithmonë e mirë por ka gjëra që unë si ish lojtar mund t’i kuptoj. Unë i thash klubit atë që mendoja dhe ne duhej të merrnim një vendim”.

Kundër kësaj deklarate ka reaguar menjëherë Lionel Messi, i cili iu përgjigj Abidalit: “Sinqerisht nuk më pëlqen të bëj këtë lloj gjëje por mendoj se të gjithë duhet të jenë përgjegjës për punën e tyre dhe të marrin përgjegjësinë për vendimet e tyre”.

“Lojtarët për atë që ndodh në fushë, ne jemi të parët që pranojmë kur nuk luajmë mirë”.

“Ata që janë përgjegjës për drejtimin sportiv duhet gjithashtu të përballen me përgjegjësitë e tyre dhe mbi të gjitha të marrin përgjegjësinë për vendimet e tyre”.

“Në fund të fundit, unë mendoj se kur flisni për lojtarët, duhet të jepni emra sepse përndryshe ju po lini emrat e të gjithëve dhe po ushqeni thashethemet që po përhapen dhe nuk janë të vërteta”.

Komento: