
Milot Rashica po shkëlqen në Bundeligën gjermane.
Ylli kosovar i Ëerder Bremenit, Milot Rashica, është vlerësuar nga Transfermarkt si lojtari me vlerën më të madhe nga lojtarët e Kosovës, Shqipërisë, si dhe lojtarët e Kombëtareve të tjera që kanë prejardhje shqiptare.
Që prej vitit 2015 kur doli nga Kosova në Evropë për të luajtur futboll, vlera e Milot Rashicës në treg është rritur vazhdimisht, falë formës së mirë që ai ka shfaqur me ekipin kombëtar të Kosovës dhe me klubet e tij – fillimisht Vitesse e tani Bremeni, raporton Gazeta Express.
![]()
Paraqitjet e mira të Rashicës bëjnë që ai të ketë ngjallur interesim të madh nga disa klube të mëdha evropiane. Megjithatë, askush s’do ta ketë të lehtë t’i sigurojë shërbimet e kosovarit, për të cilët janë në garë disa klube dhe që vlerësohet me 31.5 milionë euro.

Shifra prej 31.5 milionë eurove bën që Rashica të jetë lojtari me origjinë shqiptare më i vlefshëm për momentin në futboll, duke lënë prapa vetes edhe lojtarë të njohur në Evropë si Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri dhe Thomas Strakosha.
![]()
Granit Xhaka, që luan si mesfushor për Arsenalin dhe për Kombëtaren e Zvicrës, vlerësohet me 27 milionë euro dhe vlera e tij ka rënë së fundi, veçanërisht pasi e humbi vendin në skuadër në fund të periudhës së Unai Emeryt si trajner në Emirates.
Vlerë më të vogël se Rashica ka edhe Shaqiri në treg. Ky i fundit, përkundër që vitin e kaluar fitoi medalje të artë të Ligës së Kampionëve dhe këtë vit triumfoi në Kupën e Botës për Klube me Liverpoolin, vlerësohet me 19.8 milionë euro për shkak të minutave të paktë të lojës.
Në anën tjetër, vlerë mjaft të madhe në treg ka edhe portieri i Kombëtares së Shqipërisë dhe Lazios, Thomas Strakosha, i cili vlerësohet me 22.5 milionë euro dhe vlera e tij, ashtu si ajo e Rashicës, është duke u rritur.