
Kusari-Lila në Kuvend: Zotohemi që do të angazhohemi në ndryshimin e Ligjit të Zgjedhjeve.
Shefja në detyrë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në seancën e Kuvendit të Kosovës është zotuar se si pozitë do të angazohen që të bëhet ndryshimi i Ligjit të Zgjedhjeve.
“Sapo përmbyllëm një proces dymujor të zgjedhjeve lokale qysh prej fillimit zyrtar. Edhe në këtë proces zgjedhor të gjitha institucionet e përfshira në të, qytetarët dhe grupet politike treguan standard të mirëfilltë të organizimit dhe kulturë të lartë të pjesëmarrjes në proces zgjedhor. Për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në procesin zgjedhor i jemi falënderues institucioneve përgjegjëse ndërsa për kulturën e lartë të pjesëmarrjes të gjithë qytetarëve të Kosovës. Për diasporën dhe të gjithë qytetarët tanë brenda të cilët nga ne presin reformën zgjedhore dhe fillimin e mirëfilltë të ndryshimit të Ligjit të Zgjedhjeve ju konfirmojmë se do të angazhohemi maksimalisht si pozitë, tashmë që procesi zgjedhor u përmbyll, që të fillojmë këtë proces shumë të rëndësishëm për ngritjen e procesit zgjedhor në standard ende më të lartë dhe me pjesëmarrje të sigurt dhe kredibile të të gjithë atyre që duan të marrin pjesë në zgjedhje, brenda dhe jashtë Kosovës”.
Ajo i bëri thirrje të gjitha partive politike dhe palëve të tjera të përfshira që të bëhen pjesë e procesit të ndryshimit të këtij ligji, njofton Klankosova.
“Nga këtu sot, përpos që japim zotimin para qytetarëve të Republikës brenda dhe jashtë, iu bëjmë thirrje partive politike, shoqërisë civile dhe të gjitha palëve të përfshira që të fillojmë të mendojmë dhe të veprojmë në procesin e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje. Kohë dhe mundësi kemi mjaftueshëm që të reflektojmë në të gjitha procedurat të cilat i konsiderojmë të domosdoshme për të ndryshuar dhe lehtësuar procesin e votimit, si dhe për të rritur angazhimin e qytetarëve në atë që paraqet themelin e secilës demokraci – mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Procesi zgjedhor është në përmbyllje dhe rezultatet janë ato që janë, institucionet e vazhdojnë punën e tyre dhe suksesi i procesit zgjedhor duhet të zgjatet në nivel të suksesit të qeverisjes për dhe ndaj qytetarëve. Si grup parlamentar i pozitës mbetemi të përkushtuar në bashkëpunim dhe shtyrje përpara të projekteve dhe proceseve të cilat janë në dobi të përmirësimit të jetës së qytetarëve në të gjitha komunat, pa dallim”.