Ministrja Rizvanolli: Dita e sotme ka qenë më e vështira në krizën energjetike

19:13 | 15 Dhjetor 2021

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se aktualisht prodhohet vetëm 400 megavat orë energji elektrike, nga rreth 1,200 e më shumë sa është kërkesa gjatë ditës.

Rizvanolli ka thënë se dita e mërkurën ka qenë më e vështira e krizës energjetike gjatë këtij viti, duke shtuar se fushata që ka nisur për sensibilizimin e qytetarëve për kursimin e energjisë elektrike.

“Aktualisht prodhojmë vetëm rreh 400 megavat orë nga 1,200 e më shumë sa kemi kërkesa gjatë ditës. Dita e sotme ka qenë dita më e vështirë në krizën energjetike deri tani. 105 megavat orë që i kemi të erës janë jashtë funksionit Është një lajm i mirë se fushata me kursim ka filluar t’i japë efektet”, ka thënë Rizvanolli në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti dhe drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, lidhur me situatën energjetike në Kosovë.

Ajo ka thënë se më 2 nëntor është themeluar edhe Task-Forca për krizën e energjisë, e cila deri tani ka analizuar të gjitha nevojat dhe ka dorëzuar një raport me rekomandime për Qeverinë.

“Ne si ministri kemi bërë përpjekje që të bashkëpunojmë me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut dhe kam pasur kontakte me ta, për të parë mundësitë që ne të këmbejmë me këto dy shtet që ta kalojmë krizën. Ka qenë e vështirë se këto përballen me krizë shumë më herët se ne. KEK-u ka bërë maksimumin, Ministria e Mjedisit dhe ZRR-ja e ka trajtuar me prioritet licencimin e kapaciteteve të reja. Deri dje kemi qenë duke vepruar me parashikimet e Task-Forcës, mirëpo dje situata u përkeqësua dukshëm dhe ka qenë jashtë çdo parashikimi dhe është ndalur ngrohtorja e qytetit”, është shprehur Rizvanolli.

Komento: