Mobilizimi i Prishtinës me karantina

13:29 | 28 Mars 2020

Mobilizimi i kryeqytetit me karantina.

Është një nga 16 Qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Kati i dytë i kësaj qendre në lagjen “Kalabria” po përgatitet të shndërrohet në karantinë, për të qenë i gatshëm nëse rëndohet gjendja e rritet numri i të infektuarve me koronavirus.

Tashmë këtu janë vendosur shtretërit e parë nga 20 gjithsej sa ka kapacitet të mbulojë kjo qendër.

Në minikarantinë me 15 shtretër po përgatitet të shndërrohet edhe Qendra e Mjekësisë në “Lagjen e Muhaxherëve”.

Po ashtu, mbi 52 shtretër do të vendosen në shtëpizat rekreative të Gërmisë, të cilat tashmë janë pastruar e dezinfektuar.

Ndërsa, një hapësirë më të madhe për karantinë, komuna është duke e bërë gati brenda ambienteve të Pallatit të Rinisë.
Kështu, në kohën kur numri i të infektuarve po shkon duke u rritur, kryeqyteti është shprehur i gatshëm që me mbi 200 shtretër të ndihmojë në menaxhimin e situatës.

Gjendja e krijuar me pandeminë ka shtyrë komunën të vendosë këtë tendë në oborrin e QKMF-së.

Gjatë 24 orëve, brenda saj specialistët e mjekësisë familjare kontrollojnë çdo pacient me simptoma të koronavirusit, si masë për të zvogëluar mundësinë e infektimit të stafit shëndetësor brenda objektit të qendrës, transmeton KOHA.

Megjithëse puna jashtë objektit në këtë mot të ftohtë ka vështirësitë e veta, për mjekët e kësaj tende primare është shëndeti i pacientëve.

Rënia e fluksit të qytetarëve që kërkojnë shërbime në qendrat mjekësore, i ka mundësuar komunës që stafin shëndetësor ta angazhojë për t’u kujdesur për të izoluarit në Qendrën e Studentëve.

Të gatshme për të ndihmuar në situatën e kësaj pandemie, janë edhe katër ekipe të Qendrës Urgjente të kryeqytetit.

Komento: