Mourinho i dërgon mesazh Edi Ramës, ja çfarë i thotë

22:34 | 17 Nëntor 2019

Edi Rama ka marrë një mesazh nga trajneri i njohur, Jose Mourinho.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajti një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të stadiumit “Air Albania”, krahas Armand Dukës e Aleksander Ceferin.

Rama zbuloi në fjalën e tij mesazhet që kishte shkëmbyer me Jose Muorinhon, i cili kishte shprehur admirim për stadiumin e ri,

“’Uau, stadium i shkëlqyer. Duhet të shkoj aty’ – ky ishte mesazhi që më çoi Jose Mourinho, një vizitor shumë special i stadiumeve më spektakolare të botës. Unë u përgjigja, se në realitet ky stadium është më i mahnitshëm se sa nga mund të duket nga dritarja e telefonit”.

“E kam pritur këtë moment prej vitesh. E kam ëndërruar gjatë, ditën kur shqiptarët nuk do hynin në një nevojtore futbolli, për të mbështetur kombëtaren. E kam dëshiruar prej kohësh, mbrëmjen kur kuqezinjtë do kishin një shtëpi të denjë”.

“Ndihem i privilegjuar që u dha mundësia ta kthejmë një ëndërr sa të bukur, por edhe të largët, në realitetin e kësaj mbrëmje ku jemi mbledhur sonte”, ka thënë Rama.

“Stadiumi është i ri, por mban gjithçka që ishte pjesë e trashëgimisë, që u ruajt me një kujdes të jashtëzakonshëm. Por, edhe historike për futbollin, ku mban emrat e Panajot Panos, Fatmir Frashërit dhe Vasillaq Zërit, në tribunat e tij”.

“Tani, stadiumi ka jetën e vet, dhe u përket brezave që do vijnë, qytetarëve të Tiranës, dhe turistëve të kryeqytetit. Ky është një monument që do jetë në hartën turistike të Tiranës.” – përfundoi kryeministri Rama.

Komento: