
Trajneri i ardhshëm i Real Madridit, Jose Mourinho, ka ndryshuar rrënjësisht garën për Bernardo Silvën, duke e bërë mesfushorin portugez objektivin e tij kryesor për afatin kalimtar të verës.
Sipas raportimeve të gazetës AS, Silva ka pezulluar bisedimet e avancuara me Barcelonën dhe Atletico Madridin pas garancive të drejtpërdrejta që ka marrë nga bashkëkombësi i tij Mourinho, duke ndryshuar ndjeshëm dinamikën e afatit kalimtar në Spanjë.
Ish-trajneri i Manchester Unitedit dhe Chelseat e ka vendosur 31-vjeçarin në krye të listës së dëshirave për përforcimin e skuadrës në “Santiago Bernabeu”.
Silva është aktualisht lojtar i lirë pas përfundimit të aventurës së tij nëntëvjeçare me Manchester Cityn, ku fitoi një numër të madh trofesh dhe u shndërrua në një nga mesfushorët më të vlerësuar në Evropë.
Mourinho i hapur t’i shesë dy yjet e Real Madridit, por vetëm me një kusht
Prej vitesh, emri i tij është lidhur me një transferim te Barcelona, ndërsa raportimet për një kalim në “Camp Nou” janë rikthyer vazhdimisht në afatet e fundit kalimtare.
Megjithatë, pas zgjedhjeve presidenciale dhe ardhjes së Mourinhos në kryeqytetin spanjoll, Florentino Perez dhe drejtuesit e Real Madridit thuhet se kanë miratuar një ofensivë financiare për të siguruar shërbimet e portugezit.

Përkushtimi, eksperienca dhe cilësitë e tij teknike e bëjnë Silvën profilin ideal që Mourinho dëshiron të shtojë në skuadër.
Nga ana tjetër, mesfushori portugez synon t’i bashkohet një projekti ambicioz, ku përvoja e tij të shfrytëzohet maksimalisht si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
Duke folur pas ndeshjes së Portugalisë ndaj Kilit, Silva mohoi raportimet se kishte arritur tashmë një marrëveshje me Barcelonën, duke lënë të hapur të ardhmen e tij.