Ndalja e rrymës nga KEDS, s’punojnë as semaforët në Prishtinë

21:52 | 22 Dhjetor 2021

KEDS ka njoftuar se nga sot do të ketë reduktime të rrymës si pasojë e krizës energjetike. Reduktimet kanë prekur edhe kryeqytetin, ku një pjesë e Prishtinës ka mbetur pa rrymë duke mos punuar as semaforët në rrugë.

Kompania e shpërndarjes së energjisë në Kosovë (KEDS) njoftoi se nga sot se do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike në mbarë vendin, si pasojë e prodhimit të ulët vendor dhe çmimeve të larta të importit të energjisë.

“Gjatë ditëve të fundit, sistemi elektroenergjetik i vendit është mbingarkuar tej mase. Të njëjtën kohë, duke u ballafaquar me krizën më të rëndë elektroenergjetike botërore, Operatori i Tregut- KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike. Këto kufizime do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë. Kjo situatë do të mbizotërojë gjatë 24 orëve të ardhshme, ndërsa për ditët në vijim në jemi në pritje të instruksioneve nga KOSTT-i dhe do të veprojmë konform tyre”, është thënë në njoftim.

Ata po ashtu kanë apleuar te qytetarët për kursim maksimal të energjisë elektrike dhe përdorim të formave alterantive të ngrohjes, aty ku ka mundësi.

Komento: