Ndodh edhe kjo, futbollisti përjashtohet dy herë në të njëjtën ndeshje

23:38 | 02 Shkurt 2020

Sapo hyri në fushë, lojtari mori vetëm kartonin e verdhë në vend të të kuqit.

Një futbollist i Fuenlabradas në divizionin e dytë të garave në Spanjë është përjashtuar dy herë në një ndeshje. Kjo për shkak të teknologjisë VAR që ktheu vendimin e parë të gjyqtarit për karton të kuq.

Incidenti ndodhi në ndeshjen mes Fuenlabradas dhe Gironas. Pas një ndërhyrjeje të ashpër, Cristobal Marquez i Fuenlabradas u ndëshkua direkt me karton të kuq.

Mesfushori u largua nga fusha dhe u nis drejt tunelit për në zhveshtore, shkruan BBC.

Gjyqtari më pas shikoi ndërhyrjen në ekranet afër fushës dhe pasi shikoi në disa kënde vendosi ta rikthente vendimin dhe Cristobalit iu lejua të kthehej në fushë.

Sapo hyri në fushë, lojtari mori vetëm kartonin e verdhë në vend të të kuqit.

Por para se të vazhdonte ndeshja, ai nisi një përplasje fizike me Alex Granellin e Gironas. Të dy u ndëshkuan dhe Cristobali si pasojë e kartonit të dytë të verdhë u detyrua të nisej drejt tunelit për herë të dytë.

Komento: