Ndodh në Kosovë, infermierët kategoria më pak e vaksinuar në Kosovë

18:38 | 30 Nëntor 2021

Në vijë të parë të frontit kundër COVID-19, por infermierët kategoria më pak e vaksinuar në Kosovë.

COVID-19 po vazhdon të jetë i pranishëm në Kosovë, ashtu si në mbarë botën. Përderisa në vendet tjera ka ende numër të madh të të infektuarve dhe viktimave nga koronavirusi, në Kosovë situata duket të jetë më e qetë krahas muajve të kaluar.

Ndonëse pak me vonesë krahasuar me vendet e rajonit, që nga marsi i këtij viti, Kosova ka filluar edhe me vaksinimin e qytetarëve për mbrojtje nga koronavirusi, Reporteri.

Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht po u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen e ta ruajnë vetën nga infektimi.

Së fundmi, një thirrje e njëjtë është bërë drejtuar qytetarëve, por kësaj radhe është kërkuar të bëhet si shenjë falënderimi për profesionistët shëndetësorë, për angazhimin që këta të fundit po japin në luftën kundër COVID-19.

Ndër të tjerash, në njoftimin e MSH-së thuhet “t’i ndihmojmë ata duke u vaksinuar dhe zbatuar masat anti-COVID, për të evituar kështu mbingarkesën e kapaciteteve spitalore”.

“Bashkohuni me ne për të FALENDERUAR profesionistët shëndetësor për punën e vyer dhe angazhimin tejet vetëmohues gjatë përballjes me Covid-19. Le t’i NDIHMOJMË ata duke u vaksinuar dhe zbatuar masat antiCovid, për të evituar kështu mbingarkesën e kapaciteteve spitalore. VAKSINOHU sa më parë, kudo, pa termin, pavarësisht vendbanimit a shtetësisë!”, theksohet në thirrjen e MSH-së drejtuar qytetarëve të Kosovës, përcjell Reporteri.

Ani pse po bëhet thirrje që “t’u dilet në ndihmë” profesionistëve shëndetësorë, një grup i tyre po del të jetë në listën e më pak të vaksinuarve në vend.

Sipas disa statistikave të publikuara në faqen zyrtare të MSH-së, shihet se infermierët janë kategoria më pak e vaksinuar në Kosovë.

Ndonëse kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në vijën e parë të frontit kundër COVID-19, infermierët kosovarë po dalin të jenë më pak të “interesuarit” për tu vaksinuar, gjithsej 23,640, në një listë prej 10 profesionesh.

Reporteri ka tentuar të marrë një përgjigje nga MSH-ja se pse infermierët po tregohen kaq “indiferentë” ndaj vaksinimit, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit.

Qeveria e Kosovës u ka dhënë qytetarëve mundësi të ndryshme për tu vaksinuar, ndër to edhe pa pasur nevojë për të caktuar termin. Pavarësisht kësaj, numri i qytetarëve të interesuar për tu vaksinuar po del të jetë i ulët. Gjatë javëve të fundit, numri i të vaksinuarve në baza ditore është nën 2 mijë.

Amviset, të pensionuarit dhe studentët më së shumti të imunizuar

Në statistikat e publikuara nga MSH-ja shihet se kategoria e cila prin e para në vaksinim është amvisëria. Amviset i prijnë kësaj liste me 297.596 të vaksinuara.

Pas amviseve, renditen të pensionuarit me 188.567 të vaksinuar.

Në këtë listë me gjithsej 10 profesione, të tretët në radhë janë të papunësuarit, pastaj punëtorët, të tjerët, ekonomistat e nxënësit.

E të parafundit janë punëtorët e rastit, me gjithsej 24.924 të vaksinuar.

Shifrat e Kryeministrit Kurti për të vaksinuarit në shperputhje me ato të MSH-së

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka thënë se deri tani janë administruar 1 milion e 612 mijë vaksina. Sipas tij, me dy doza janë vaksinuar 57% e të rriturve të moshës mbi 16-vjeç, ndërsa me një dozë rreth 65% për qind.

Por, këtë shifra nuk përkojnë me ato të publikuara nga faqen e MSH-së, shkruan Reporteri.net.

Sipas statistikave të përditësuara në faqen e MSH-së, me dozën e parë janë vaksinuar 53% e popullsisë, ndërsa me të dytën 47%.

Rrjedhimisht, “huqja” e Kurtit për dozën e parë është 10%, teksa për të dytën 13%.

Në maj të këtij viti, Kurti kishte deklaruar se nën qeverisjen e tij, deri në fund të vitit do të vaksinohen 60% e popullsisë.

“Unë jam i bindur që këtë vit do të arrijmë të vaksinojmë 60% të popullsisë”, kishte thënë kreu i Ekzekutivit.

Procesi i vaksinimit në Kosovë ka nisur më 28 mars, kur në vend mbërritën dozat e para.

Komento: