Nëntë vetura të djegura deri tani në veri të vendit

23:27 | 01 Prill 2023

Rreth nëntë vetura janë djegur deri më tani në veri të vendit. Djegia e veturave ka filluar më 30 mars, ku fillimisht u dogjën tri vetura që u përkisnin qytetarëve të nacionalitetit serb, e të cilat ishin me targa të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se njëri rast ka ndodhur mëngjesin e së shtunës rreth orës 03:40, në Leposaviq afër çerdhes së fëmijëve dhe tjetri rast afër qendrës sportive.

Lidhur me rastin, Policia ka nisur hetimet teksa ka ftuar qytetarët për bashkëpunim në gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë.

“Policia e Kosovës, në këto raste ka reaguar me të shpejtë, duke ndërmarrë veprimet e duhura policore dhe duke iniciuar rastet kriminale të cilat është duke i trajtuar (hetuar) me seriozitet dhe me këtë rast fton qytetarët për bashkëpunim në gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Për djegien e veturave ka reaguar edhe Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani. Ai thekson se strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë fushatën e orkestruar të frikësimit kundër serbëve vendas në veri të Kosovës.

“Strukturat ilegale të Serbisë vazhdojnë fushatën e orkestruar të frikësimit kundër serbëve vendas në veri të Kosovës”, thuhej në reagimin e Blerim Veles.

Djegien e veturave në veri të vendit e kanë dënuar edhe Shefi i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Komento: