Nga 6 dhjeotri nuk do të mund të hipni në autobusët e Trafikut Urban pa dëshmi të vaksinimit apo të testit PCR

18:23 | 01 Dhjetor 2021

Nga 6 dhjetori Trafiku Urban do të kërkojë dëshmi vaksinimi apo test PCR.

Trafiku Urban ka njoftuar se nga 6 dhjetori autobusët lokalë do të ofrojnë shërbime me vetëm 50 për qind të kapacitetit, përkatësisht do të pranojë vetëm 17 udhëtarë për autobusë.

Në një komunikatë të “Trafikut Urban” po ashtu bëhet se ditur se bazuar në masat e reja të aprovuara nga Qeveria e Kosovës të martën, nga 6 dhjetori do të caktohen persona përgjegjës që do të kontrollojnë pasagjerët nëse kanë dëshmi të vaksinimit, test PCR apo dëshmi se e kanë kaluar COVID-in.

“Trafiku Urban në kontekstin e pandemisë COVID-19 aplikon edhe me tutje masat e reja për kontrollin, nga Qeveria e Republikës së Kosovës të cilat do të hyjnë në fuqi më 6 dhjetor 2021, prandaj si pasojë autobusët lokalë për arsye të ruajtjes dhe parandalimit të virusit mund të ofrojnë shërbimin me vetëm 50% të ulëseve përkatësisht pranimin me 17 udhëtarë në autobus. Gjithashtu, duke u bazuar në mbledhjen e fundit nga Qeveria të datës 26.11.2021 , obligohemi të caktojmë një apo më shumë persona përgjegjës në çdo mjet të transportit publik, që do të kontrollojnë pasagjerët për posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura “Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë (me dy doza) kundër COVID-19” dhe “Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë)”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë thuhet po ashtu se përkundër faktit që personeli i transportit publik është në rrezik nga infektimi i virusit COVID-19, shërbimet ndaj qytetarëve vazhdojnë të realizohen sipas udhëzimeve çdo ditë, në të gjitha linjat deri në ndonjë vendim tjetër nga organet kompetente.

“Për qytetarët si përdorues të transportit publik ky reduktim i shërbimit me vetëm 50% të ulëseve nuk është mirëpritur aspak bazuar nga reagimet dhe kërkesat e tyre. Andaj përmes kësaj shkrese kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për pritjet e tyre përderisa ne detyrohemi që ti përmbahemi masave të përcaktuara nga organet përgjegjëse. Poashtu duam të ju njoftojmë se shoferët nuk mund të ndalin autobusët në stacionet përkatëse për arsye të plotësimit të kapacitetit prej 50%, në raste të tilla mund të presin autobusin e radhës duke shkarkuar aplikacionin E-Bus mobil përmes të cilit mund të lokalizoni autobusët në kohë reale dhe stacionet afër vend-ndodhjes suaj”, thuhet nga Trafiku Urban.

Aktualisht Trafiku Urban ka në dispozicion 51 autobus në 7 linja të cilët janë në shërbim të banorëve nga ora 06:00 deri në orën 22:00.

Komento: