
Një debat mes Arben Vitisë dhe Përparim Ramën është zhvilluar sot.
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Vetëvendosje, Arben Vitia, ka reaguar në facebook, menjëherë pas debatit që pati me kundërkandidatin e tij, Përparim Ramën e LDK-së.
Vitia falënderoi ata që e inkurajuan lidhur me debatin e sotëm. Tutje, ai premtoi se do t’i lexojë me kujdes edhe të tjerat mesazhe që vijnë në adresën e tij.
“Qytetarë të dashur, ju falenderoj me përzemërsi për mesazhet e komentet e shumta përkrahëse e inkurajuese në lidhje me debatin e sontëm. Do të vazhdoj t’i lexoj me kujdes edhe të tjerat që po vijnë e do t’i kem parasysh të gjitha. Jemi bashkë në këtë projekt për Prishtinën”, ka thënë Vitia.
Debati nuk ishte i lehtë për asnjërin nga kandidatët, të cilët diskutuan rreth temave të ndryshme.
Ndër të tjera Rama i tha Vitisë “Prita mos po ju shoqëron Kurti edhe sonte në studio”. Rama nuk u ndal me kaq, më vonë i tha Vitisë se nuk do ta kishte problem nëse ky i fundit bëhet pjesë e ekipit të Ramës. Në një moment kah fundi i debatit, Rama e zuri ngushtë Vitinë kur e pyeti se si do t’i bëjë 2600 parkingje me 1 milion euro.
Kjo pyetje erdhi pasi Vitia kështu kishte paraparë në programin e tij, pyetje të cilës Vitia nuk arriti t’i japë përgjigje.