
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin gjerman Kehl, ku pesë anëtarë të një familjeje janë gjetur pa shenja jete brenda banesës së tyre, ndërsa dy fëmijë të tjerë ndodhen në gjendje kritike shëndetësore.
Policia dhe Prokuroria e Offenburgut kanë publikuar të martën, më 24 nëntor, detaje lidhur me rastin tragjik, i cili ka nxitur reagime të shumta në komunitetin lokal.
Sipas televizionit publik gjerman SWR, transmeton Periskopi, shqetësimet kishin nisur të hënën, pasi fëmijët e familjes nuk ishin paraqitur në shkollë.
Ekipet e emergjencës ishin njoftuar pasi askush nuk ishte përgjigjur në derën e banesës, e cila ndodhet në lagjen Sundheim të qytetit Kehl.
Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe hapjes së derës, ekipet e shpëtimit janë përballur me një situatë tragjike.
Sipas njoftimit të Policisë, jetën e kanë humbur babai 46-vjeçar, gjyshja 74-vjeçare, dy vajza të moshës 10 dhe 13 vjeçe, si dhe një djalë 14-vjeçar.
Dy fëmijë të tjerë të familjes, një djalë 12-vjeçar dhe një vajzë 11-vjeçare, kanë mbijetuar, por ndodhen në gjendje kritike dhe po marrin trajtim mjekësor.
Nëna e fëmijëve raportohet se ndodhej jashtë banesës në momentin e ngjarjes, ndërsa më pas edhe ajo ka marrë kujdes mjekësor.
Një nga detajet kryesore të bëra publike nga mediat gjermane lidhet me praninë e monoksidit të karbonit brenda banesës.
Sipas Tagesschau, përqendrimi i këtij gazi në ambientet e brendshme ishte jashtëzakonisht i lartë.
Komandanti i zjarrfikësve në Kehl ka deklaruar për mediat lokale se ekipet e emergjencës kanë mundur të hyjnë në banesë vetëm duke përdorur pajisje të posaçme mbrojtëse për frymëmarrje.
Si pasojë e ekspozimit ndaj gazit, lëndime të lehta kanë pësuar edhe një punonjës i Policisë dhe një dëshmitare.
Monoksidi i karbonit është një gaz pa ngjyrë dhe pa erë, i cili mund të përbëjë rrezik serioz për jetën e njerëzve, veçanërisht kur grumbullohet në ambiente të mbyllura.
Megjithatë, autoritetet gjermane ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht shkakun e humbjes së jetës së pesë anëtarëve të familjes.
Policia dhe Prokuroria kanë njoftuar se do të kryhen ekzaminimet mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjeve.
Sipas informacioneve të bëra publike nga bashkia e Kehlit, hetuesit po shqyrtojnë disa pista, përfshirë mundësinë e një defekti teknik apo të një vepre penale.
Ndërkohë, banorët e tjerë të ndërtesës fillimisht nuk janë lejuar të kthehen në banesat e tyre për arsye sigurie.
Agjencia gjermane e lajmeve dpa raporton se autoritetet lokale kanë hapur një llogari për mbledhjen e donacioneve në mbështetje të familjarëve të viktimave.
Bashkia gjithashtu po ofron ndihmë për banorët e prekur nga kjo ngjarje e rëndë.
Vëmendja tashmë është përqendruar te gjendja shëndetësore e dy fëmijëve që kanë mbijetuar, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie familjare.
