Pioli flet pas fitorës së Milanit, ka edhe disa fjalë për titullin

10:26 | 13 Mars 2022

Pioli i lumtur me fitoren, por thotë se për titull do të flas vetëm xhiron e fundit.

Milani ka marrë një fitore të radhës në Serie A, duke mposhtur Empolin me rezultat minimal 1-0.

Ka qenë një fitore shumë e vështirë e Rossonerëve, por që u arrit falë golit nga mbrojtësi Kalulu që realizoi nga distanca për t’i dhuruar tri pikë Rossonerëve.

Shumë i lumtur me fitoren e arritur është shprehur trajneri i Milanit, Stefano Pioli pas ndeshjes të së shtunës në San Siro.

“Ka qenë një ndeshje shumë e vështirë, të cilën ia dolëm ta menaxhojmë fatmirësisht si duhet. Nuk kemi dominuar, por kemi bërë kontrollin e takimit”.

“Në pjesën e dytë kemi gabuar më shumë sesa duhet, sa i përket pasimeve”, tha Pioli.

Tutje trajneri italian ka folur edhe për titull, duke thënë se këtë fjalë do ta përmend vetëm në xhiron e fundit të kampionatit.

“Klasifikimi është ende virtual sepse kundërshtarët tanë kanë ende një ndeshje për të zhvilluar. Mendoj se do të ishte më e drejtë që të kishim të gjithë numrin e njëjtë të ndeshjeve, për të parë edhe ecurinë e secilit”.

“Titulli është një fjalë që do ta përmend vetëm javën e fundit”, u shpreh tekniku italian i Milanit, Stefano Pioli.

Milani pas 29 xhirove në kampionat zë vendin e parë në tabelë me 63 pikë.

Komento: