Prekëse, kjo është letra e plotë e Kobe Bryant ia kishte shkruar vetes

15:56 | 30 Janar 2020

Para pak ditëve, legjenda e basketbollit, Kobe Bryant u nda në mënyrë tragjike nga jeta.

Ish-basketbollisti i LA Lakers, ia kishte shkruar vetes një letër prekëse në vitin 2016 për revistën The Players Tribune, ku i ishte drejtuar vetes si 17-vjeçar dhe e kishte këshilluar si të investojë në të ardhmen e të afërmve. Letrën e plotë mund ta lexoni më poshtë.

“I dashuri unë 17-vjeçar, kur ëndrra jote për të luajtur për Lakers të bëhet realitet nesër, ti duhet ta gjesh një mënyrë se si të investosh në të ardhmen e familjes dhe shoqërisë tënde. Kjo tingëllon e thjeshtë dhe ti mund të mendosh se do të jetë e lehtë, por merr pak kohë ta mendosh pak më thellë”, kishte shkruar Kobe.

“Unë thashë INVESTO. Nuk thashë JEP. Më lejo të ta sqaroj. Thjesht t’iu japësh të afërmve të ty gjëra materiale mund të duket vendimi i duhur. Ti i do ata dhe ata kanë qenë gjithmonë aty për ty, kështu që është e drejtë që ta ndani bashkë suksesin tënd dhe gjithçka që vjen nga ai. Kështu që blijua një vetyrë, një shtëpi të madhe, paguaja të gjitha faturat. Ti dëshiron që ata të jetojnë bukur dhe rehatshëm, apo jo?”.

“Por, do të vijë dita kur ti e kupton se sado që ke besuar se po e bëje gjënë e duhur, ti po i mbaje ata prapa”.

“Ti do ta kuptosh se po kujdeseshe për ta sepse të bënte TY të ndiheshe mirë, të bënte TY të lumtur t’i shihje ata të lumtur dhe pa asnjë hall në botë – dhe kjo është jashtëzakonisht vetjake nga ti. Përderisa ti ndiheshe i kënaqur me veten, ti vetëm po ua gëlltitje ngadalë ëndrrat dhe ambiciet atyre. Ti shtoje gjëra materiale në jetën e tyre, por ua vidhje dhuratën më të shtrenjtë nga të gjitha: pavarësinë dhe rritjen”.

“Kuptoje se ti do të bëhesh lideri i familjes dhe kjo do të thotë se do të marrësh edhe vendime të vështira, edhe nëse të afërmit e ty nuk i kuptojnë ato menjëherë. Investo në të ardhmen e tyre, mos jep”.

“Përdore suksesin, pasurinë dhe ndikimin tënd për t’i vendosur ata në pozitën më të mirë për t’i bërë ata ëndrrat e veta realitet dhe që ta gjejnë qëllimin e vërtetë. Dërgoji në shkollë, caktoju intervista pune dhe ndihmoju të bëhen liderë për të drejtat e veta. Kërkojua të njëjtin nivel të punës dhe përkushtimit që t’u desh ty për të arritur aty ku je tani dhe për të shkuar aty ku do të shkosh eventualisht”.

“Po të shkruaj tani në mënyrë që ti ta nisësh këtë proces menjëherë dhe që të mos detyrohesh të kalosh nëpër vështirësitë dhe dhimbjet që i sjell detyra për t’i larguar ata nga varësitë që ua ke krijuar. Ajo varësi çon në zemërim, fyerje dhe xhelozi nga të gjithë palët e përfshira, përfshirë këtu edhe ty”.

“Me kalimin e kohës, ti do t’i shohësh ata duke u rritur në mënyrë të pavarur dhe duke i pasur jetët dhe ambiciet e veta. Dhe rrjedhimisht marrëdhënia jote me të gjitha ata do të jetë më e mirë si rezultat i asaj që ke bërë”.

“Mund të të shkruaj edhe shumë më shumë gjëra, por, si 17-vjeçar, ti nuk ke durim t’i lexosh pa u shpërqendruar 2000 fjalë”.

“Herën tjetër që do të të shkruaj, ndoshta do t’i përmend sfidat se si nuk duhet ta përziesh gjakun dhe biznesin. Këshilla më e rëndësishme që mund të ta jap është të sigurohesh që prindërit të mbeten PRINDËR e jo menaxherë”.

“Para se ta nënshkruash atë kontratë të parë, gjeje buxhetin e duhur për prindërit e tu – një që u lejon atyre të jetojnë bukur, përderisa biznesi yt mund të rritet dhe njerëzit mund të kenë sukses më afatgjatë. Në këtë mënyrë, fëmijët e fëmijëve të tu dhe fëmijët e tyre do të kenë mundësi të investojnë në të ardhmet e veta kur të vijë koha”.

“Jeta jote do të ndryshojë së shpejti dhe gjërat do të të vijnë shumë shpejt. Por, vetëm mësohu me situatën tënde kur të shtrihesh natën pasi të jesh stërvitur nëntë orë në ditë. Më beso, është mirë t’i nisësh gjërat ashtu siç duhet nga fillimi, pasi që i shmangesh shumë lotëve dhe zemërthyerjeve, disa prej të cilave kanë qëndruar me mua deri sot. Shumë dashuri, Kobe”.

Komento: