Pritet rekomandimi për dhënien e dozës së tretë kundër COVID-19

18:07 | 10 Nëntor 2021

Disa vende të botës ka aplikuar dozën e tretë të vaksinës anti-covid.

COVID-19 po vazhdon të jetë akoma prezent si në Kosovë, ashtu edhe në mbarë botën.

Teksa shtetet e rajonit kanë filluar administrimin e dozës së tretë të vaksinës anti-COVID, Kosova ende nuk ka ndërmarrë një hap të tillë.
Në Kosovë, sipas njohësve, miratimi për dozën plotësuese për luftimin e pandemisë po shihet si i nevojshëm.

Gazeta Online Reporteri.net ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me këtë çështje.

Të njëjtit kanë thënë se së shpejti pritet rekomandimi për dhënien e dozës përforcuese dhe dozës së tretë kundër COVID-19.

“Komiteti për imunizim kundër COVID-19 e ka trajtuar çështjen e dhënies së dozës përforcuese dhe dozës së tretë kundër COVID-19 dhe pritet shpejt që të bëhet rekomandimi edhe për dhënien e këtyre dozave”, ka bërë të ditur MSH-ja për Reporteri.net.

Tutje, MSH-ja ka theksuar edhe dallimet që kanë mes vete doza përforcuese nga doza e tretë.

“Një dozë përforcuese e COVID-19 është një dozë e re që i jepet një personi plotësisht të vaksinuar për të ndihmuar në përmirësimin e mbrojtjes që ka rënë me kalimin e kohës. Disa grupe që janë treguar se e humbasin mbrojtjen më shpejt se të tjerët tani kanë të drejtë për një përforcues. Ndërsa, një dozë shtesë (e tretë) kundër COVID-19 është një dozë tjetër vaksine që i jepet dikujt që nuk mori mbrojtje të mjaftueshme nga seritë fillestare të vaksinave të tyre. Disa njerëz me sistem imunitar të dobësuar mund të marrin një dozë shtesë për t’u mbrojtur plotësisht kundër COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Në anën tjetër, infektologu i njohur kosovar Ilir Tolaj ka përsëritur disa herë për mediat lokale se është e domosdoshme dhënia e dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit, dhe sipas tij ky vendim duhet të merret sa më parë.
“Padyshim që edhe në Kosovë është e domosdoshme, sa më shpejt që është e mundshme dhe që të merret vendimi për lejimin e dozës së tretë për të gjithë ata që kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga doza e dytë do të jetë e mirëseardhur. Le të vaksinohen që të gjithë, avarësisht prej moshës, gjendjes shëndetësore të tyre. Në mënyrë paralele edhe me ata që nuk janë vaksinuar deri tash apo ata që deri tani janë vaksinuar me një dozë”, ka thënë mbrëmë infektologu Tolaj.

Ndonëse, situata epidemiologjike në Kosovë aktualisht është e qetë, MSH-ja ka njoftuar se nuk do të ketë ndryshim të masave anti-COVID në fuqi.

MSH-ja, përmes bisedës me Reporteri.net u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, pas pranisë edhe të variantit Delta Plus.

“Sa u përket masave, tash për tash mbesin në fuqi masat aktuale, duke qenë që ende në Kosovë ka qytetarë që nuk janë vaksinuar për çka fuqimisht MSH u bën thirrje që të vaksinohen sikurse që është evidentuar edhe prania e variantit Delta Plus të SARS COV-2 (Covid-19)”, thuhet në përgjijen e MSH-së.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë sot përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se në Kosovë janë konfirmuar 12 raste të variantit Delta Plus.

Sipas MSH-së, nga 70 mostra të dërguara për analiza në Gjermani, 12 prej tyre kanë rezultuar me variantin Delta Plus, ndërsa 47 me variantin Delta.

Komento: