Propozohet që transporti publik deri në mars të jetë pa pagesë

14:38 | 10 Nëntor 2020

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) përmes një komunikate për media ka njoftuar se është votuar propozimi që në rend dite të Kuvendit komunal në Prishtinë të jetë edhe pika për ofrimin e transportit publik pa pagesë prej muajit nëntor deri në muajin mars.

Sipas njoftimit, një ide e tillë ka ardhur si shkak i nivelit të lartë të ndotjes së ajrit në kryeqytet dhe përhapjes së virusit COVID-19.

“PDK në Prishtinë konsideron që implementimi i këtij projekti shkarkon trafikun e kryeqytetit, mbron ambientin, kursen kohën dhe xhepin e qytetarëve. Kosto e mbulimit të biletave të qytetarëve, buxhetit të komunës pritet t’i kushtoj 1.262.986 euro”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se asamblisti i PDK-së, Leutrim Retkoceri në propozim ka arsyetuar se “Mjetet financiare mund të merren nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, ku deri më tani kemi vetëm 57 për qind e buxhetit të shpenzuar në këtë kategori”.

Sipas Retkocerit më mirë është që të ndahen këto mjete për të paguar biletat e qytetarëve të Prishtinës, sesa ato të përfundojnë si zakonisht, tepricë buxhetore.

Komento: