
Punëtorët shëndetësorë sot kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës me kërkesën për implementimin e Ligjit për Paga.
Ata kanë hedhur mantilat e tyre pranë objektit të Qeverisë së Kosovës për shkak të pakënaqësive të tyre në lidhje me mosimplementimin e Ligjit të Pagave.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla është shprehur se vetëm në 8 muajt e parë të këtij viti 122 mjekë kanë lëshuar vendin dhe se deri tani kanë ikur edhe qindra infermierë.
“Zoti kryeministër, pas 10 vjetëve pensionohen 1 mijë e 200 specialistë dhe zoti kryeministër po ju pyes juve se kush do ta shërojë këtë populate”, tha Syla.
Ai ka thënë se në këto kushte punëtorët shëndetësorë do të largohen nga sistemi publik dhe do të punojnë në klinikat private.
“Nuk do të ketë largim të punëtorëve shëndetësorë vetëm jashtë Kosovës, por ata do të dynden jashtë sistemit publik dhe do të shkojnë në privat. E kush e paguan këtë, këtë e paguar popullata e thjeshtë e cila nuk ka pare me u shëru”, ka thënë Syla.
Ai është shprehur se nga java e ardhshme do të mund të ketë edhe bllokim të sistemit shëndetësorë.
“Siç e dini kohë më parë ne e bëmë një protestë simbolike me shpresën e vetme që presidentja dhe kryeministri do të reflektojnë dhe të paktën të na ftojnë edhe neve në bisedime sa i përket ligjeve që kanë të bëjnë me mirëqenien e mbarë popullatës. Ne sot kemi dal t’i themi stop kësaj jotransparence dhe kemi dal t’i lajmërojmë se nëse jo ligji i Pagave nuk shkon sivjet, kjo protestë tani më do të kthehet edhe në reagime më të ashpra sindikale. Unë kam nderin dhe kënaqësinë se nuk do ta përfundoj me kaq”, ka deklaruar ai.