Qeveria formon komision për vlerësimin e fizibilitetit për rrugën Prizren – Tetovë

12:16 | 27 Tetor 2021

Qeveria e Kosovës ka formuar komisionin për vlerësimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë.

Kjo rrugë nga ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu u cilësua e rëndësishme dhe lidhëse e dy korridoreve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Do të prezantoj vendimin e sotëm të qeverisë për krijimin e komisionit nga ana e qeverisë për studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë. Ky është hap konkret pas marrëveshjes e cila u nënshkrua në Shkup në mes të dy kryeministrave dhe e cila ka të bëjë me realizimin e një projekti të rëndësishëm që përpos që lidh dy qytetet, Prizrenin dhe Tetovën, lidh edhe dy korridore shumë të rëndësishme që është korridore 8 që nga Shkupi arrin në Durrës përmes Librazhdit dhe korridorit, rrugës së Kombit, nga Prishtina në Tiranë. Këto dy korridore do të mund të lidhen në mes veti përmes rrugës Prizren-Tetovë”, ka deklaruar Aliu.

Ai ka thënë se studimet e parafizibilitetit janë kryer dhe me vendimin e sotëm të qeverisë do të filloj puna konkrete teknike.

“Studimet parafizibilitetit tashmë janë bërë nga ana e Drejtorisë së Rrugëve në Republikën e Maqedonisë dhe me nënshkrimin e marrëveshjes mes dy qeverive në Shkup dhe me vendimin e sotëm do të filloj puna konkrete teknike drejt përfundimit të këtij studimi dhe fillimit të projektit të menjëhershëm për realizimin e kësaj rruge”, ka thënë ai.

Ekzekutivi po ashtu formoi komisionin për përgatitjen e një parallogaritje ose plani ideor për zbatimin e rehabilitimit të zonës të Hanit të Elezit ndërmjet dy objekteve kufitare Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Komento: