Raporti profesional i KEK-ut dhe KOSTT-it konstaton se prishja në “Kosova A” nuk erdhi qëllimshëm

17:27 | 03 Shkurt 2022

Avaria në “Kosova A”, raporti profesional i KEK-ut dhe KOSTT-it konstaton se prishja nuk erdhi qëllimshëm.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për media në lidhje me situatën e krijuar me datë 06.12.2021, kur rreth orës 05:50 min dy njësitë e TC Kosova A (njësia A3 dhe A5) kishin rënie të paplanifikuar nga operimi në të njëjtën kohë.

Për këtë avari në KEK pati deklarata edhe nga zyrtarë të Qeverisë se mund të jetë bërë me qëllim.

Por, KEK-u dhe KOSTT-i kanë thënë se të gjitha këto pretendime kanë rënë, dhe kjo dëshmohet në raportin profesional nga ekspertë të të dy palëve në fjalë.

“Njësitë e TC Kosova A (A3 dhe A5) kishin rënë nga sistemi si rezultat i lidhjes së shkurtër në stabilimentet e tensionit të lartë – 220 kV, asete të KOSTT-it. Ky është një konstatim i përbashkët nga ekspertët e dy kompanive KEK dhe KOSTT, dhe tregon se nuk ka vend për dyshime dhe veprime të qëllimshme por e gjitha që ka ndodhur është si rezultat i problemeve teknike dhe më pastaj në përputhje të plotë me veprime të procesit teknologjik në mbrojtje të gjeneratorëve dhe sistemit elektroenergjetik për rastet kur paraqitet një avari e tillë në stabilimentet e tensionit te larte 220 kV. Pas përfundimit të raportit profesional nga ekspertët e dy palëve KEK dhe KOSTT, eliminohen dyshimet e pavend dhe përgënjeshtrohen të gjitha deklaratat e pabaza që u hodhën në opinionin publik kinse kemi të bëjmë me një veprim të qëllimshëm nga kushdo qoftë”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.

Për më tepër, KEK-u dhe KOSTT-i njoftojnë opinionin se në raste të tilla prioritet është sanimi i problemit, ndërsa hapi i dytë, sipas procedurave, është ngritja e një komision të përbashkët profesional për ta hulumtuar rastin.

Këto dy kompani thonë se një procedurë e tillë është zhvilluar edhe për rastin në fjalë, me ç’rast me vendimin e përbashkët të datës 10.01.2022 (Nr. 33 për KOSTT dhe Nr.133 për KEK) ishte formuar komisioni profesional për përpilimin e raportit në lidhje me identifikimin e shkaktarit të asaj prishje.

Me qëllim të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit, KEK-u dhe KOSTT-i thonë se “dy njësitë e TC Kosova A (A3 dhe A5) bazuar në raportin e komisionit të përbashkët profesional KEK-KOSTT të dt. 26.01.2022 Nr. 170 vërtetohet se kanë rënë nga sistemi si rezultat i një avarie në sistem përkatësisht në shkarkuesin e mbitensionit dhe më pas në izolator tërheqës 220kV që ka ndikuar në rënien e zbarrës kryesore të tensionit të lartë 220kV në asete të KOSTT-it. Në këto zbarra ka qenë e lidhur edhe njësia A3 e TC Kosova A, e cila në momentin që është shkaktuar lidhja e shkurtër ka rënë nga sistemi duke ekzekutuar dhe zbatuar procesin për mbrojtje të gjeneratorëve, ndërkohë që njësia A5 si rezultat i luhatjes së madhe në sistem dhe ngarkesës me fuqi reaktive nuk ka arritur të qëndrojë në operim dhe për pasojë edhe ajo ka rënë nga operimi”, theksohet në këtë deklaratë.

Lidhur me këtë ngjarje, KEK-u dhe KOSTT-i bëjnë apel tek të gjitha palët që në të ardhmen të presin informatën dhe sqarimin zyrtar nga ekspertët e fushës, e gjithë kjo me qëllim të shmangies së paqartësive dhe keqinformimit të opinionit.

Komento: