Rasti i Telekomit, Kushtetuesja kundërshton Supremen e Apelin

16:10 | 17 Dhjetor 2021

Kushtetuesja kundërshton Supremen e Apelin për rastin e Telekomit

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë aktvendimin e Gjykatës Supreme në lidhje me kontestin e Telekomit dhe Z-Mobile.

Sipas vendimit të publikuar, aktvendimi i Supremes dhe i Gjykatës së Apelit ishte në kundërshtim me garancitë procedurale, të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës.

“Rrjedhimisht dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se, Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme dhe Aktvendimi i Gjykatës së Apelit, janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të përcaktuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke e kthyer të njëjtin për rivendosje në Gjykatën e Apelit, marrë parasysh që kjo e fundit, siç është sqaruar në Aktgjykim, ka ‘juridiksion të plotë’ për të adresuar të metat procedurale të cilat kanë rezultat në kontestimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore”, thuhet në vendim.

Objekti i kësaj çështjeje ndërlidhet me procedurën e përmbarimin e vendimit të Arbitrazhit.

“Kontesti në procedurë përmbarimore kishte filluar pasi parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar prapësim në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Urdhrit Përmbarimor të nxjerrë nga Përmbaruesi Privat pas kërkesës së kompanisë ‘Dardafon’”, thuhet tutje.

Komento: