Roli i presidentit dhe dialogu me Serbinë, temë e takimit të radhës Kurti – Mustafa

15:45 | 19 Nëntor 2019

VV dhe LDK do t’i vazhdojnë takimet për krijimin e qeverisë së re.

Çështja e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pitet të jetë një nga temat e takimit të radhës ndërmjet udhëheqëseve të Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që pritet të mbahet javën e ardhshme.

Të dy këto subjekte politike, që gjatë mandatit të kaluar kanë qenë në opozitë, tani pas zgjedhjeve parlamentare te 6 tetorit, ndodhen në procesin e bisedimeve për formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës.

Ajo që mbetet për t’u parë, është qëndrimi që Vetëvendosje dhe LDK do të mbajnë karshi rolit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në këtë proces. Përderisa ishin në opozitë, të dy partitë që pritet të kalojnë tani në pushtet, ishin kundër që presidenti Thaçi të ishte në krye të delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se sa i përket dialogut me Serbinë, fillimisht do të bëhet një vlerësim i marrëveshjeve të arritura nga viti 2011 e deri më 2017.

Ai ka thënë po ashtu se dialogun do ta udhëheqë vet dhe nuk do të lejojë që presidenti i vendit të marrë kompetenca “të cilat nuk i takojnë”.

Të njëjtën e thotë edhe Albulena Haxhiu, po nga Vetëvendosje. Ajo beson se rolin e presidentit në dialogun me Serbinë e sqaron Kushtetuta e Kosovës, si dhe Gjykatës Kushtetuese me interpretimin e saj në lidhje me ekipin negociator.

“Roli i presidentit në çështjen e dialogut me Serbinë është konsultues që në fakt ne e konsiderojmë që nuk është as obligativ, për më tepër, për një bashkërendim institucional në Republikën e Kosovës. Por, besojmë se nuk do të ketë qasje të njëjtë siç e ka pasur qeveria e kaluar në raport me dialogun, e cila fatkeqësisht, ia kishte lënë vetë procesin e dialogut në duar presidentit. Kjo nuk do të ndodhë më. Prandaj, do të ketë qasje të re, mendësi të re dhe natyrisht nuk do të lejojmë që të bëhen koncesione kundër Kosovës”, tha Haxhiu.

Komento: