Shqipëria u mposht me rezultat 4:1 nga Franca.
Pas disfatës kundër Francës në “Stade de France”, mbrojtësi i krahut të majtë i Shqipërisë, Odise Roshi, e pranoi se i bëri dy gabime që u kushtuan kuqezinjve me gola, mirëpo shtoi se djemtë e skuadrës e dhanë maksimumin
Franca e dominoi plotësisht Shqipërinë jo vetëm sa i përket rezultatit, 4-1, mirëpo edhe me posedim të topit (72% – 28%). “Les Blues” i bënë 13 goditje drejt portës, pesë prej të cilave brenda kuadradit, ndërsa kuqezinjtë e patën një goditje brenda kuadradit të portës nga gjithsej tri, raporton Gazeta Express.
Megjithatë, vëmendjen në këtë ndeshje e morën disa gafa të organizatorëve francezë, të cilët fillimisht e ndërruan himnin e Shqipërisë për atë të Andorrës, e pastaj u kërkuan falje për këtë gabim tifozëve të Andorrës, duke e ngatërruar sërish Shqipërinë.
“E di, isha fajtor tek dy golat e shënuar. Të gjithë çunat dhanë maksimumin, rezultati ishte jo i mirë, 4-1, por tani duhet të shikojmë drejt Islandës të marrim një rezultat të mirë”, u shpreh Roshi, pas ndeshjes.
“Kisha detyra mbrojtëse, kemi bërë një sistem ndryshe me trajnerin e ri. Është e vështirë të luash ndaj Francës në atë pozicion. Tani do luajmë ndaj Islandës dhe duhet të harrojmë Francën”.
Pas këtij rezultati, Shqipëria radhitet e katërta në Grupin H, me gjashtë pikë të grumbulluara, gjysmën e pikëve të Francës, që e kryeson grupin.
Të martën, Shqipëria do ta presë në shtëpi Islandën, gjithashtu ndeshje e vlefshme për kualifikimet në EURO 2020.