Rreth 6 mijë hektarë grurë më pak sivjet, Kosovës do t’i duhet ta kërkojë një pjesë të bukës në shtete tjera – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Rreth 6 mijë hektarë grurë më pak sivjet, Kosovës do t’i duhet ta kërkojë një pjesë të bukës në shtete tjera

17:31 | 25 Maj 2022

As sivjet, Kosova duket se s’do të arrijë të sigurojë gjithë bukën për vete. Sipas Ministrisë, janë mbjellë rreth gjashtë mijë hektarë më pak se sa vitin paraprak.

Rrjedhimisht, nevoja për import do të jetë edhe më e madhe.

Pa u kryer korrje-shirjet s’dihet se sa për qind të nevojave do t’i mbulojë prodhimi vendor, por vjet edhe pse kishte të mbjella më shumë, janë mbuluar 67 për qind të nevojave. Vetëm për pesë muaj, Kosova bleu gati tetë milionë euro grurë nga Serbia.

Kosova mund t’ia fillojë që prej tash të mendojë për opsionet për furnizim me grurë. Me sipërfaqet që janë mbjellë me këtë kulturë në vjeshtë, importi nga shtetet e tjera mund të jetë i pashmangshëm.

Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i kanë thënë Gazetës Express se sipërfaqja me kulturën e grurit që pritet të korret gjatë këtij viti është 66,159.52 hektarë

Krahasuar me të mbjellat e vitit 2020, janë rreth gjashtë mijë hektarë më pak.

“Në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në kuadër të mbjelljeve vjeshtore të vitit 2021 me kulturën e grurit është mbjellë një sipërfaqe prej 66,159.52 hektarë. Si material bazë për të dhënat e këtyre mbjelljeve vjeshtore kanë qenë të dhënat e Drejtorive Komunale të Bujqësisë dhe bazuar në këto të dhëna, sipërfaqja me kulturën e grurit që pritet të korret gjatë këtij viti është 66,159.52 hektarë”, kanë deklaruar nga MBPZHR’ja.

Sipas të dhënave të kësaj ministrie, me sasinë e grurit që ishte prodhuar në vitin 2021, Kosova ka plotësuar nevojat me grurë për 67 për qind.

Pjesa tjetër e nevojave është mbuluar nga importi.

“Ndërkaq, bazuar në raportin e korrje shirjeve të vitit 2021, duke pasur parasysh sipërfaqen e përgjithshme me kulturën e grurit prej 72,272.75 ha, e cila është korrur gjatë atij viti dhe rendimentin mesatar prej 3,804 kg/ha, Kosova për vitin 2021 ka prodhuar rreth 274,922.70 ton grurë. Nevojat ushqyese me grurë për popullatën e Kosovës janë rreth 200 kg për kokë të banorit për një vit, andaj për konsum vjetor nevojiten rreth 400,000 ton grurë. Me sasinë e grurit të prodhuar në vitin 2021 Kosova arrin që t’i plotësojë nevojat me grurë në masën prej 67 për qind”, thuhet në përgjigjet e kësaj ministrie.

Vetëm për pesë muaj, Kosova bleu gati 8 milionë euro grurë nga Serbia

E pavarësisht se disa prej shteteve prej të cilave Kosova e blente grurin viteve të fundit, e pezulluan eksportin pas luftës në Ukrainë, vendi ka gjetur zgjidhje, duke e siguruar këtë produkt nga shtetet e tjera.

Sipas statistikave që Dogana e Kosovës i ka dërguar Gazetës Express, gjatë këtyre pesë muajve, Kosova ka importuar grurë në vlerë gati 12 milionë euro.

Ky import është realizuar nga shtatë shtete. Vendi prej të cilit është blerë më së shumti grurë është Serbia, prej së cilës ka importuar grurë në blerë mbi tetë milionë euro, e pasuar nga Franca.

Shtete tjera prej të cilave kosovarët janë furnizuar me grurë këta muaj janë edhe Kroacia, Bullgaria, Hungaria, Italia dhe Maqedonia e Veriut.

Si qëndron Kosova me rezervat shtetërore?

Sekretari i Përgjithshëm i OKB’së, Antonio Guterres, ka dhënë alarmin për një krizë globale ushqimore, që mund të zgjasë me vite. Paralajmërimi i tij ka ardhur pas luftës disa mujore në Ukrainë dhe vendimin e disa shteteve për të pezulluar eksportin produkteve elementare, nga frika se do të mbesin pa to.

E nga një krizë e tillë s’do të kishte si të shpëtonte as Kosova, që varet nga importi edhe për produktet elementare.

Por, a është duke u përgatitur vendi ynë për një gjendje të tillë?

Gazeta Express ka pyetur Qeverinë e Kosovës për grurin që ishte thënë se do të importohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nëse për këtë gjë ka folur kryeministri Albin Kurti, gjatë vizitës në Amerikë.

Qeveria është pyetur edhe për rezervat shtetërore dhe nëse do të ndërhyjë në çmimet, nëpërmjet subvencioneve, të cilat vitin e fundit janë rritur drastikisht. Në asnjërën prej këtyre pyetjeve, s’ka marrë përgjigje.

Në pyetjen për rezervat shtetërore është përgjigjur Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Nga ky institucion kanë vlerësuar se sasia e deponuar e produkteve të rezervës shtetërore është e konsiderueshme nëse paraqitet ndonjë kërkesë për intervenim emergjent.

“Me Planin Strategjik të Rezervave Shtetërore të Mallrave përcaktohet: krijimi, furnizimi, ripërtëritja, freskimi, përdorimi, shpërndarja, shitja, këmbimi, dhurimi dhe shfrytëzimi, sasia e deponuar e produkteve të rezervës shtetërore, vlerësojmë se është e konsiderueshme nëse paraqitet ndonjë kërkesë për intervenim emergjent. Plani strategjik dhe programi vjetor i rezervave shtetërore të mallrave me Ligjin e rezervave shtetërore është sekret shtetëror”, thuhet në përgjigjet e MINT për Express.

Mullistët: Kemi grurë mjaftueshëm deri në sezonin e korrje-shirjeve

Për grurin që Kosova ka aktualisht në dispozicion janë deklaruar nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës, të cilët thonë se njëherë s’ka vend për shqetësim.

Kreu i kësaj shoqate, Bashkim Zejnullahu i ka thënë Gazetës Express se sasia e grurit që ka vendi mjafton deri në sezonin e korrje-shirjeve.

“Jemi duke u afruar në sezonin e korrje-shirjeve të reja dhe deri në atë sezon kemi mjaftueshëm. Sa i përket Kosovës, ka mjaftueshëm. E kemi përballu me sukses të të gjithë akterëve dhe mendon se Kosova deri në korrje-shirjet e reja disponon mjaftueshëm (grurë)”, ka thënë Zejnullahu.

I pyetur nëse presin më shumë rendiment sivjet, Zejnullahu ka deklaruar se krejt kjo varet nga reshjet e shiut.

“Varet prej të reshurave që presim t’jenë këtë ditë. Janë duke munguar të reshurat, jo veç në Kosovë po edhe globalisht është një thatësi pak më e madhe. Presim t’ketë reshje shiu dhe nëse kish me pas, është produkti shumë i mire” ka deklaruar ai.

Kreu i mullisëve pret që sivjet të rriten sipërfaqet e mbjella me grurë, edhe shkaku i luftës por edhe pas subvencionimit nga ana e Qeverisë.

“Mbjelljet e Kosovës kanë qenë në tetor të vitit të kaluar, e kriza ka filluar tek këtë vit. Ne presim që të mbjellat e tetorit të këtij viti të jenë shumë më të mëdha, por sa i përket të mbjelljeve të vitit të kaluar, as që pres që ka pas ndonjë lëvizje shumë më të madhe. Sistemi i subvencionimit të Qeverisë ka me ndiku shumë që të rriten sipërfaqet e mbjella”, ka thënë Zejnullahu.

Shatri: Për sivjet, Qeveria s’mund të bëj asgjë për krizën

Për krizën e paralajmëruar ushqimore, ekonomisti Haki Shatri thotë se Qeveria s’ka çka të bëj sivjet dhe se vetëm duhet të priten rezultatet pas korrje-shirjeve.

Shatri, i cili më herët ka qenë Ministër i Ekonomisë, ka deklaruar se të mbjellat për këtë vit kanë përfunduar dhe se krejt çka mund të bëj Qeveria është që të stimulojë bujqit që kultivojnë grurin, përmes subvencionimit të naftës.

“Për sivjet, Qeveria nuk mundet me ba kurgjë. Është kry puna. Është mbjellë çka është mbjellë, tash veç presin sa të bëhet bereqeti. Në vjeshtë munden me stimulu prodhuesit e grurit kur mbjellet gruri në vjeshtë, me naj subvencionim të naftës për bujqësi”, ka deklaruar Shatri për Express.

Për kërkesat që Qeveria të ndërhyjë në çmime sikur rasti i Maqedonisë së Veriut, e cila ngriu çmimet për një muaj, Shatri thotë një gjë e tillë është e pamundur të bëhet, meqë si shtet jemi përcaktuar për tregun e lirë.

Sipas tij, ndërhyrje në çmim do të mund të kishte, vetëm nëse pastaj importuesit do të subvencionoheshin nga buxheti për ndryshimin e çmimit.

Por, edhe një opsion i tillë, thotë se s’mund të realizohet, meqenëse do të ishte i papërballueshëm për buxhetin e vendit.

“Është pak problem se ne në Kushtetutë jemi shpall shtet demokratik, me ekonomi të lirë. Është e pamundur me marr dikush vendim, kur jemi përcaktu për tregun e lirë. Ti mundesh me i caktu çmimet, por operatorët tregtarë s’kanë llogari me pru një produkt që e kushton më shtrenjtë e me e shit më lirë, sepse ata janë privatë. Nëse shteti, ndryshimin e çmimit, kostos edhe të shitjes ua kompenson, atëherë ka mundësi. Ama jo me i thanë bleje shtrenjtë e shite lirë, sepse për një muaj ata falimentojnë. Nëse e merr naj vendim shteti që ndryshimin në çmim me ua kompensu prej buxhetit, atëherë ka mundësi. Por, bukur e zorshme dhe e rëndë është sepse buxheti s’e përballon gjithë atë telashe”, ka deklaruar Shatri.

Në fund të muajit shkurt, Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, kishte deklaruar se Kosova ka rezerva të grurit për tre deri në gjashtë muaj.

Në fund të muajit mars, e njëjta kur po raportonte në Komisionin për Ekonomi, ministrja Rozeta Hajdari, ishte shprehur se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë një përgjigje pozitive nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket importit të grurit në të ardhmen edhe nga ShBA-të.

“Kosova nuk ka pasur varësi për import të grurit nga Ukraina, por nga Serbia. Por, fatmirësisht kemi marrë përgjigje pozitive nga shtetet e perëndimore dhe nga ShBA-të për mundësinë e importit të grurit nga këto shtete. Pra, Kosova mund të jetë blerës i ardhshëm i grurit amerikan”, tha ajo gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi.

Komento: