Sarri i habiti të gjithë me deklaratën e tij për Interit

14:48 | 29 Shtator 2019

Sarri ka bërë një deklaratë interesante për Interin.

Interi dhe Juventusi kanë luajtur dhe fituar ndeshjet respektive të javës së 6 të kampionatit italian, që ishte edhe java e fundit para asaj të derbit të Italisë, me dy skuadrat që do të përballen në “San Siro” mbrëmjen e 6 tetorit.

Zikaltrit vijnë me moral mjaft të lartë në këtë takim, pasi kanë arritur të bindin edhe më skeptikët, duke fituar të 6 takimet e para dhe duke kryesuar me meritë, ndërsa Juventusi vjen me stofin e 8 herë kampionëve radhazi në këtë takim.

Megjithatë sfida është “ndezur” që pasditen e sotme, kur tekniku i bardhezinjve Maurizio Sarri është munduar të “zbehë” ecurinë e kundërshtarëve, teksa ka deklaruar se nuk ka parë asnjë ndeshje të Interit këtë sezon.

“Të jem i sinqertë, përqendrohem gjithmonë te ndeshja e radhës dhe deri tani nuk kam parë asnjë ndeshje të Interit. Edhe tani do shoh Leverkusenin, që e kemi kundërshtar të martën. Megjithatë kam lexuar për gjëra të mëdha te Interi dhe nuk kisha dyshim për këtë. Ky kampionat do jetë shumë më i rivalizuar”, deklaroi Sarri.

Komento: