
SBASHK-u i reagon Kurtit: Kur të japësh dorëheqje nga kreu i LVV’së, kryetarët e sindikatave mund ta ndjekin shembullin tënd.
Përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Ymer Ymeri ka folur në lidhje me mospajtimet që kanë sindikatat e Kosovës me Qeverinë si dhe kërkesat e tyre ndaj ekzekutivit.
Ymer i është përgjigjur kryeministrit, Albin Kurti i cili tha se duhet bërë ndryshime në sindikata sikurse që kanë ndodh edhe në pushtet.
Ai tha se nëse kryeministri do të jepte shembull duke dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje, atëherë ndoshta edhe sindikalistët do të ndërroheshin.
“Nashta kryetarët e Sindikatave e kanë marrë shembull kryeministrin. Kryeministri e ka themeluar Lëvizjen Vetëvendosje e është hala kryetar i LVV-së, po ka suksese, po e përcjellim atë, po e marrim si shembull. Ndoshta me dhënë dorëheqje prej Vetëvendosjes, edhe këta tjerët i mëson. Le ta jep shembullin e mirë, ndoshta edhe këta të ndjekin”, theksoi Ymeri.
Tutje, Ymeri tha se derisa Kurti thotë se është mirë për demokracinë të bëhen ndryshime, atëherë ai duhet të jap vet atë shembull.
“Unë po i them, as ti nuk je ndërru. Ti po thu që është mirë për demokracinë, por ai prapë nuk ka dhënë dorëheqje”, tha Ymeri.
Përfaqësuesi i Sindikatës së Arsimit, bëri të ditur se viti 2021, ka qenë vit zgjedhor për SBASHK-un, ku në shumicën e komunave tashmë janë zgjedhur kryetarët e sindikatave.
Sipas tij, gjatë këtyre zgjedhjeve ka pasur tendencë që të ndërhyhet nga LVV-ja duke dërguar njerëz që përkrahin partinë e tyre për kryetar të sindikatave ose shkollave.