Sebahatja është shembulli më i mirë sesi duhet krijuar një biznes – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Sebahatja është shembulli më i mirë sesi duhet krijuar një biznes

17:04 | 13 Nëntor 2021

Përpjekja e Sebahates për të krijuar biznes në fshat.

Jeta në një zonë të thellë rurale nuk ka qenë pengesë për Sebahate Ramën nga fshati Keçekollë e Prishtinës që të krijojë një biznes të vogël.

Ajo tashmë ka mbi 30 koshere bletë si dhe pesë lopë e dy viça dhe po planifikon ta zgjerojë biznesin e saj.

“Ndjehem shumë e lumtur me to. Shumë jam e lidhur pas tyre. Vij në mëngjes dhe dal i shikoj. Verës, kur është koha e mirë, dal sit ë zgjohem në mëngjes dhe vij te këto [bletët]. I shikoj a po lëvizin, a po punojnë…”, thotë Sebahate Rama, që merret me blegtori dhe bletari, raporton REL.

Jeta në një zonë të thellë malore nuk ka qene pengesë për Sebahaten që të gjejë mundësi për të përmirësuar jetën.

Ajo jeton me burrin e saj Faikun, djalin dhe vajzën në fshatin Keqekollë të Prishtinës.

Ky fshat malor me rreth 220 banorë gjendet 23 kilometra larg Prishtinës.

Para më shumë se 10 vitesh, Sebahatja thotë se nuk besonte se mund të zhvillojë biznes në këtë vend, prej të cilit shumica e banorëve janë shpërngulur në kërkim të një jete më të mirë.

Por një takim në vitin 2010 me një shoqatë që mbështeste gratë në zonat rurale ndryshoi jetën e saj.

“Ka qenë një shoqatë e grave këtu në Keqekollë. Ajo na ka thënë, ‘a jeni të pajtimit të vini dhe të filloni të punoni, të merreni me to [bletë]’. Kemi shkuar dhe kemi mbajtur trajnime këtu në Keqekollë, me shoqatën e grave dhe na i kanë dhënë dy bletë”, thotë ajo, transmeton Telegrafi.

Viti i parë thotë se ishte shumë i vështirë, sepse nuk dinte së si duhej kujdesur për bletët. Për këtë arsye ajo kreu trajnime të shumta dhe lexoi literaturë që e ndihmuan të zhvillojë këtë veprimtari.

Aktualisht ajo ka 30 koshere bletë dhe thotë se është krenare për punën që bën.

“Ndjehem krenare. Është sikur kur shkon të punosh diku, je e obliguar të shkosh në punë. Edhe unë ndjehem sikur jam e punësuar, por punoj këtu në shtëpinë time. E di që punoj për vete”.

Nga bletët Sebahatja arrin të fitojë deri në 10 mijë euro në vit.

Krahas bletarisë, prej më shumë se shtat vitesh, Sebahatja zhvillon edhe veprimtarinë e blegtorisë.

Ajo sot i ka pesë lopë.

E gjendur në një fshat ku gratë kryesisht janë të papuna, Sebahatja thotë se çdo ditë përpiqet ta rris numrin e bletëve dhe gjedhëve. Me shpresën se një ditë do t’ia arrijë të punësoj bashkëfshatarët e saj.

Ajo kërkon nga institucionet që t’i ndihmojnë gratë në biznes. Kurse inkurajon gratë në viset rurale që të merren me bujqësi.

Komento: