Sektori bankar i Kosovës, i qëndrueshëm

15:30 | 28 March 2020

OEAK thotë se sektori bankar i Kosovës, i qëndrueshëm.

Stabiliteti bankar në Kosovë pas gjendjes së krijuar nga pandemia e koronavirusit konsiderohet të jetë i qëndrueshëm. Bankat thuhet se kanë likuiditet të mjaftueshëm dhe mirë të kapitalizuar.

Në një forum virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK ) me disa nga përfaqësuesit e bankave komerciale në Kosovë, u tha se sektori bankar është njëri nga elementet më vitale për përballimin e krizave ekonomike.

Sipas OEAK, është shumë pozitiv fakti se ky sektor është i qëndrueshëm në këtë situatë të pazakontë.

Arton Celina, kryeshef ekzekutiv i Bankës për Biznes, theksoi se bankat po funksionojnë me kapacitete të plota shërbyese dhe me funksionalitet të plotë të kanaleve digjitale, duke mundësuar kështu shërbim sa më efikas ndaj qytetarëve.

Sipas tij, Kosova është shumë me fat që në këtë situatë ka një borxh shumë të ulët publik dhe një sistem të qëndrueshëm financiar, si avantazhe të cilat e bëjnë më imune ndaj përballimit me krizë.

“Nëse COVID-19 ndikon rëndë në imunitetet më të dobëta njerëzore, edhe në kontekst ekonomik do të afektojë sistemet më të brishta financiare”, tha Celina.

Gem Maloku, zëvendësdrejtor në NLB Bank, tha se sektori bankar aktualisht ka likuiditet të mjaftueshëm, mirëpo sa më shumë që prolongon ndikimi i pandemisë në kufizime gjithëpërfshirëse, aq më e gjatë do të jetë edhe periudha e rikuperimit.

Sipas tij, vlerësimi i impaktit pas pandemisë paraqet një sfidë në vete për të gjitha vendet e botës.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka përgatitur tani një pako të masave emergjente ku janë përfshirë ndihma për rikuperimin e dëmeve ekonomike që mund t’i ketë ekonomia në përgjithësi e Kosovës.

Deri më tani, në Kosovë janë regjistruar 88 raste me koronavirus, ku një pacient ka vdekur dhe një është shëruar.

Komento: