Senatorja Shaheen pas takimit me Osmanin: Përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit të japin llogari

10:21 | 13 Tetor 2023
senatorja-shaheen-pas-takimit-me-osmanin:-pergjegjesit-per-ngjarjen-e-24-shtatorit-te-japin-llogari


Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar sot senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch.

Pas takimit ata kanë mbajtur një konferencë për media, me ç’rast kanë treguar se kanë diskutuar rreth agresionit të 24 shtatorit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit.

Në fjalën e saj, senatorja Jeanne Shaheen, ka thënë se përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit duhet të japin llogari dhe se shpreson që Serbia do të bashkëpunojë në këtë drejtim.

“Kishim planifikuar një udhëtim në rajon. Deshëm të shfrytëzojmë mundësinë që pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vijmë këtu dhe t’i shprehim shqetësimet tona. E dimë se është shumë shqetësuese kjo ngjarje për Kosovën. Mendojmë se është e rëndësishme që përgjegjësit për ngjarjet e 24 shtatorit të japin llogari, shpresoj që Serbia do të bashkëpunojë në këtë drejtim”, ka thënë senatorja Shaheen.

“Kjo na tregon se për stabilitet dhe paqe afatgjate në Kosovë duhet vazhduar me mbështetjen e BE-së dhe ShBA-së në mënyrë që të gjendet një bashkëjetesë afatgjate paqësore me Serbinë”, ka shtuar ajo.

Në fund, ajo ka thënë se është këtu për të mbështetur Kosovën, si një vend me të cilin e ndanë të njëjtat vlera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Komento: