Shaip Kamberi: Presim që t’i fitojmë dy mandate në zgjedhjet e 17 dhjetorit

18:29 | 14 Dhjetor 2023
shaip-kamberi:-presim-qe-t’i-fitojme-dy-mandate-ne-zgjedhjet-e-17-dhjetorit

Deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi pret që në zgjedhjet e 17 dhjetorit t’i fitojnë dy mandate.

Shaip Kamberi do t’i prijë listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, listë kjo që përbëhet edhe nga disa parti të tjera, shkruan Front Online.

Edhe në zgjedhjet e 17 dhjetorit shqiptarët garojnë me dy lista.

Tjetër listë është edhe ajo e kryetarit të Preshevës, Shqiprim Arifi, “Alternativa Demokratike Shqiptare-lugina e bashkuar”.

“Pritjet ideale janë për dy mandate, sepse, migrimi, pasivizimi dhe sidomos fakti që zgjedhjet po mbahen në të njëjtën periudhë kur nuk është prezentë në vendlindje mërgata jonë, ndikon dukshëm në rezultat. Një javë më vonë do të ishte atmosferë krejtësisht tjetër”, ka deklaruar Kamberi për Front Online.

Kamberi thotë se po bëjnë përpjekje që të bindin secilin person të marrë pjesë në zgjedhje.

“Lista jonë përbëhet nga pesë parti politike PVD, PDSH, UDSH dhe lëvizja Aleanca për Luginën. Numri saj është 13, dhe në kuadër të motos Beteja vazhdon, kemi bërë përpjekje që të bindim secilin për të marrë pjesë në zgjedhje, sepse përfaqësimi dhe lufta institucionale e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për të drejta duhet të vazhdojë”, ka shtuar ndër të tjera Kamberi.

Një mbështetje të fortë Shaip Kamberi për zgjedhjet e 17 dhjetorit po e merr edhe nga Kosova.

Konkretisht nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Pikërisht për këtë sot Lëvizja Vetëvendosje do të organizojë një tubim në Prishtinë, ku pjesëmarrës do të jetë edhe Kurti.

Për, këtë Kamberi ka thënë se në Kosovë ka shumë shqiptarë të Luginës dhe ndihma institucionale që u jepet bëhet për të ndihmuar kauzën e shqiptarëve.

“Në Kosovë, ka shumë bashkëvendës tanë që jetojnë e punojnë e të cilët e kanë të drejtën e votës në Luginë të Preshevës, prandaj ndihma institucionale që jepet atje ka për qëllim për të mobilizuar atë potencial votues tonin për të ndihmuar kauzën e drejtë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, është shprehur ndër të tjera ai.

Kamberi ka folur edhe për atë se garës në këto zgjedhje shqiptarët do t’i hyjnë me dy lista, por se nuk ka treguar se përse ka ndodhur kjo ndasi.

“Po, janë dy lista të certifikuara. Janë konceptet politike-rezistencë apo konformizëm ndaj Beogradit ajo që ka diktuar faktin e ekzistencës së dy listave. Ashtu siç edhe e thotë sllogani jonë ‘beteja vazhdon’ ne jemi për angazhim politik institucional rezistues, deri në arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta”, ka thënë Kamberi për Front Online.

Për zgjedhjet e 17 dhjetorit sot për Front Online ka folur edhe kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi.

Ai, ka thënë se shqiptarët në Luginë janë përçarë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti./Front Online

 

Komento: