Shtohet interesimi i kosovarëve për të adaptuar fëmijë

16:58 | 21 Nëntor 2019

Kosovarët çdo ditë e më shumë po shfaqen të interesuar për të adaptuar fëmijë.

Qytetarët e Republikës së Kosovës duket se janë kogja të interesuar që të adoptojnë fëmijë, shkruan Indeksonline.

Në bazë të të dhënave aktualisht janë rreth 140 familje në pritje që të marrin një fëmijë në gjirin e tyre familjar.

Të gjitha këto familje, sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë të vlerësuara si familje potenciale adoptuese.

Musa Demiri, Udhëheqës i Zyrës për Komunikim me Publikun në MPMS, për Indeksonline ka thënë se në nëntëmujorin e këtij viti janë aprovuar 10 raste te adoptimit vendor dhe 2 raste të adoptimit ndërkombëtar.

“Në bazë të Raportit nëntëmujor të vitit 2019, rezulton që Paneli për vendosjen e fëmijëve në strehim familjar dhe adoptim ka shqyrtuar 19 raste të adoptimit, prej tyre 10 raste të adoptimit vendor të aprovuara, 2 raste të adoptimit ndërkombëtar të aprovuara dhe 7 raste të adoptimit ndërkombëtar (ndërfamiljar) të refuzuara”, ka thënë ai për Indeksonline.

Por këto familje të interesuara për adoptim të fëmijëve duhet të presin nga 9 -12 muaj që të përmbyllet i gjithë proces.

Demiri për këtë ka thënë se arsyeja e kohëzgjatjes së pritjes deri në realizim të të drejtës për adoptim është numri i madh i kërkesave për adoptim në raport me numrin e fëmijëve të braktisur e potencial për adoptim, i cili numër është në rënie.

“Sa I përket kohëzgjatjes së procedurave të adoptimit, nuk është e specifikuar me ligj se sa duhet të zgjasë I tërë procesi. Për ta pasur më të qartë opinioni, sqarojmë si në vijim:

Aplikimi në Gjykatën Themelore, kompletimi i dokumentacionit sipas kritereve ligjore, vlerësimi mbi përshtatshmërinë e familjes potencial adoptuese nga QPS kompetente, shqyrtimi I kërkesës nga Paneli për vendosjen e fëmijëve në strehim familjar dhe adoptim (në DPSF), periudha provuese që mund të zgjatë deri në tre muaj, themelimi I adoptimit, rregullimi I dokumenteve të gjendjes civile për fëmijën, etj., gjithë ky proces varion nga 9 -12 muaj;

Ndërsa, periudha e pritjes së familjes potenciale adoptuese e evidentuar në Regjistrin Gjeneral, unik në nivel vendi, asnjëherë nuk mund ta themi me saktësi se sa mund të zgjasë ky proces, ngaqë asnjëherë nuk mund ta parashikojmë se sa fëmijë do të braktisen, sa prej tyre do të mbesin potencial për adoptim. Familjet potenciale adoptuese të evidentuara në Regjistrin Gjeneral, trajtohen sipas datës së aplikimit deri sa t’iu vijë radha për propozim të fëmijës”, ka thënë ai për Indeksonline.

Në bazë të të dhënave në përkujdesje institucionale janë 45 fëmijë të braktisur.

“Bazuar në Raportin nëntëmujor të vitit 2019 të Referatit për fëmijët e braktisur, rezulton si në vijim:

– 35 fëmijë të braktisur janë në strehim familjar jashtë farefisit;

– 6 fëmijë të braktisur janë në SOS Fshatrat e fëmijëve, projekti “Dielli” për strehimin e fëmijëve të braktisur nga 0-3 vjeç;

– Muaji Shtator’19 në KOGJ/ QKUK Prishtinë është përmbyllë me 4 fëmijë potencial për braktisje”.

Komento: