Sindikatat këmbëngulin që paga minimale të jetë prej 400 eurove

13:02 | 13 Mars 2022

Sindikatat dalin kundër qeverisë, kërkojnë pagë minimale prej 400 euro.

Rashit Mehmeti, anëtar i kryesisë së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), njëherësh dhe anëtar i Këshillit Ekonomiko-Social dhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, kanë deklaruar se paga minimale duhet të jetë 400 euro, e jo 264 euro sa propozon qeveria.

Mehmeti ka thënë se duke u bazuar në disa statistika që janë nxjerr del që paga 264 euro është tepër e vogël për qytetarët.

“Ne i kemi nxjerrë disa statistika këtu shportën e konsumatorit e cila nuk përfshin as rrymë, as ujë e as mbeturina po vetëm jetën kështu që del diku rreth 400 e diçka euro. Prandaj ne konsiderojmë që është tepër e vogël 264 euro qysh e kanë nxjerr në bazë të statistikave”.

Tutje Mehmeti ka thënë se ata nuk janë kundër qeverisë, mirëpo sindikata shikon gjithmonë anën e puntorit, dhe se ai mendon që qytetarët e ‘shportat’ e tyre jane prekur mjaftë shumë nga ngritja e çmimeve kohëve të fundit.

“Në radhë të parë ne nuk jemi kundër qeverisë. Mirëpo sindikata shikon gjithmonë anën e punëtorit, e shikon shportën e punëtorit, shportën e qytetarit gjithmonë. Unë mendoj që shporta e qytetarit tash për tash është dëmtuar mjaft shumë me këto ngritje të cilat janë bërë”.

Ai ka vazhduar duke kujtuar se në vitin 2017 ka qenë një marrëveshje që paga minimale të bëhet 250 euro, por që diçka e tillë s’është realizuar asnjëherë.

“Paga minimale 264 euro, po them kështu në 2017 Këshilli i Ekonomiko-Social, po flas si anëtar i këtij këshilli ne e kemi aprovuar dhe jemi marrë vesh me Odat Ekonomike që të jetë 250 euro. Mirëpo ajo nuk u realizua asnjëherë që nga atëherë”.

Përveç kësaj, Mehmeti ka cekur se Kosova ka pagën minimale më të ulët në rajon, ndërsa vendet tjera qëndrojnë më mire në këtë drejtim.

“Mirëpo populli nuk do të jetë i kënaqur, punëtoria nuk do të jetë e kënaqur me të sepse për shembull kemi marr edhe disa statistika të vendeve përreth. Serbia 297 euro, Bosnja dhe Hercegovina 277, Shqipëria e ka 248 që i ka më herët, Maqedonia 363 euro, kurse Kosova e ka 170 euro. 170 euro do të thotë ne jemi larg edhe me vendet përreth që i kemi të cekura tash për tash këtu. Këto shënime i ka edhe Qeveria. Po veprime sindikale janë paralajmëruar. Tash më datën 12 e kanë SBAShK-u për ligjin e punës, këta kanë shikuar me bë protesta. Besoj shumë, unë nuk jam ithtar i atyre protestave fare me të thënë të drejtën po jam me e gjetë bashkëpunimin në proporcion me buxhetin e shtetit”.

Edhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi në një intervistë për Ekonomia Online tha se paga minimale nuk duhet të jetë nën 400 euro.

“Ne nuk e kemi marrë me shqetësim propozimin e Qeverisë së Kosovës, pasi që ne kemi propozimin tonë, përpos propozimit kemi edhe vendimin tonë se SPSK nuk pranon dhe nuk do të pranoj edhe në të ardhmen pagë minimale nën 400 euro pasi që ne me këtë pagë që kemi kërkuar nuk është që do të kërkojmë që të bëjmë një jetë luksoze por është diçka minimale pa të cilën nuk mund të kalohet”.

Komento: