Skuadra e Jurgen Klopp gjunjëzon edhe Southamptonin

18:03 | 01 Shkurt 2020

‘Reds’ shtatë fitore larg titullit të parë të kampionit në Premierligë.

Nuk ka kundërshtarë të denjë për skuadrën e Liverpool në Premierligë, këtë edicion.

Skuadra e Jurgen Klopp ka gjunjëzuar edhe Southamptonin, duke e mposhtur me rezultatin 4:0, në kuadër të xhiros së 25-të në Premierligë, shkruan lajmi.

Southampton arritën të mbahen mjaft mirë në pjesën e parë të vizitës në ‘Anfield’, duke bërë që skuadrat të shkojnë në pushimin e dy pjesëve me rezultatin 0:0.

Dy minuta pas startit të pjesë së dytë, ishte Alex Oxlade Chamberlain ai që shënoi golin e parë të këtij takimi, me një gjuajtje të bukur, shkruan lajmi.net.

Epërsinë e nikoqirëve e dyfishoi kapiteni Jordan Henderson, duke tundur rrjetën e mysafirëve në minutën e 60’.

Mohamed Salah ishte lojtari që i dha golin e tretë Liverpool, në minutën e 72′, kurse rezultatin e vulosi pikërisht egjiptiani, me golin e dytë personal, në minutën e 90′.

Me këtë fitore, ‘Reds’ qëndrojnë tashmë në krye të tabelës me 73 pikë të grumbulluara. Ata kanë nevojë për 7 fitore (21 pikë) të tjera për të siguruar matematikisht titullin e kampionit.

Southampton në anën tjetër numëron 31 pikë për pozitën e 11-të.

Komento: