Specialja zyrtarizon lirimin e Haradinajt, por me disa kushte

13:27 | 14 Dhjetor 2023
specialja-zyrtarizon-lirimin-e-haradinajt,-por-me-disa-kushte

Më 12 dhjetor 2023, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e Nasim Haradinajt për lirimin e tij më 14 dhjetor 2023, ose rreth kësaj date, sipas kushteve të përcaktuara në vendim.

Këto kushte, sipas njoftimit të DhSK-së, do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj.

Sikurse u përcaktua në vendimin e mëparshëm të Trendafilovas të 12 tetorit 2023 lidhur me uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimit të Haradinajt, ajo mori parasysh edhe raportin e dorëzuar nga Administratorja në lidhje me sjelljen e Haradinajt në objektin e paraburgimit.

Kushtet ndaj Haradinajt:

Kryetarja Trendafilova vendos që për lirimin e z. Haradinaj në përputhje me rregullën 196(4) të Rregullores dhe nenin 11(1) të Udhëzuesit të Punës, për pjesën e mbetur të dënimit të shqiptuar nga Paneli i Gjykatës së Apelit, të zbatohen kushtet në vijim:

  1. a) garancia se do të banojë tërë kohën në adresën e shtëpisë, shënuar në Parashtrimet e Haradinajt;

  2. b) të informojë Administratoren dhe stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja për ndërrimin e vendbanimit të përhershëm, në varësi të miratimit nga Kryetarja;

  3. c) të paraqitet çdo javë në stacionin e policisë të identifikuar nga Administratorja;

  4. d) Administratores t’i dorëzohet pasaporta ose dokumentet e udhëtimit të z. Haradinaj;

  5. e) të qëndrojë në Kosovë dhe të informojë Administratoren në rast se dëshiron të udhëtojë jashtë Kosovës dhe kërkesa për leje për udhëtim të miratohet nga Kryetarja;

  6. f) të mos kontaktojë, as të komunikojë me dëshmitarë ose viktima (të mundshme) para Dhomave të Specializuara dhe ZPS;

  7. g) të mos japë deklarata publike drejtpërdrejt ose tërthorazi (vetë ose përmes të tjerëve) lidhur me Dhomat e Specializuara dhe ZPS në;

  8. h) të kërkojë leje dhe miratim nga Administratorja për intervista ose çfarëdo kontakti tjetër me median, sikurse përcaktohet në Udhëzuesin e Punës për të Paraburgosurit (Komunikimet me Mediat);

  9. i) të përmbushë vendimet ose urdhrat e Dhomave të Specializuara; dhe

  10. j) të mos bëjë komente negative, të dhunshme, frikësuese, kërcënuese ose shtrënguese ndaj ose rreth dëshmitarëve (të mundshëm) ose personave të tjerë që janë të rrezikuar për shkak të bashkëpunimit të tyre me Dhomat e Specializuara, dhe ndaj ose rreth zyrtarëve të Dhomave të Specializuara ose të ZPS së.

“Kryetarja mori parasysh se, megjithëse veprat penale për të cilat z. Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij. Konkretisht, Kryetarja konstatoi se z. Haradinaj pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe në bazë të raportit ai kishte respektuar rregullat e objektit të paraburgimit gjatë muajve të fundit. Gjithashtu, Kryetarja mori parasysh pendesën e z. Haradinaj dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”, thuhet në njoftimin e Speciales.

Trendafilova e theksoi se “në qoftë se z. Haradinaj nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet”.  /Klankosova.tv

Komento: