Taksa 5 euro nuk kryen punë, nga mosmirëmbajtja bllokohet Rruga e Kombit

19:11 | 09 Janar 2019

Reshjet e mëdha të borës kanë shkaktuar vështirësi në komunikacion.

Autostrada e Kombit është bllokuar pasditen e kësaj të mërkure si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës.

Qytetarë të rastit, që iu ka rënë rruga të kalojnë nga ky aks i rëndësishëm, raportojnë në rubrikën “Ti Raporton” në Top Channel se, veçanërisht në pjesën Rrëshen-Kalimash rruga është tërësisht e bllokuar dhe e papastruar.

Nga pamjet duket se Policia Rrugore është e pranishme dhe në patrullim të vazhdueshëm të rrugës, por përballë reshjeve të dendura dhe bllokimit, edhe ata duket se janë ndalur.

Raportohet gjithashtu për disa automjete dhe kamionë të ngecur, duke bllokuar kështu tërësisht lëvizjen e mjeteve nga të dyja krahët.

Por, edhe pse në një pjesë të caktuar të aksit është vënë re prania e borëpastrueseve, ato kanë ngecur gjithashtu dhe nuk kanë mundur të bëjnë pastrimin e aksit për rreth një orë.

Komento: