Thaçi: Gjendja me koronavirus në Kosovë është duke e menaxhuar mirë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Thaçi: Gjendja me koronavirus në Kosovë është duke e menaxhuar mirë

17:46 | 26 Mars 2020

Edhe Kosova po përballet me përhapjen e koronavirusit ku deri më tani janë shënuar 71 raste të prekur dhe nje person ka ndërruar jetë.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot ka vizituar Qendrën Mjekësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës, prej ku tha se Kosova ka kapacitet të mjaftueshme karshi pandemisë COVID-19. Sipas tij gjendja ndaj kësaj pandemie globale është duke u menaxhuar mirë.

Kreu i vendit nga aty tha se duke parë kapacitet brenda kësaj qendre është bindur se FSK është e gatshme për t’i dalë në ndihmë qytetarëve në luftën me COVID-19.

Thaçi u shpreh i lumtur që deri tani asnjë pjesëtarë i Ushtrisë së Kosovës nuk është prekur nga ky virus.

Me qëllim për të tejkaluar këtë situatë sa më lehtë, Thaçi apeloi tek qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi.

“Si shtet kemi kapacitete të mjaftueshme për t’u marrë me sfidën e pandemisë COVID-19, dhe kjo po dëshmohet edhe me rastet e deritanishme si dhe shërimin e disa prej pacientëve. Mund të them se gjendja është duke u menaxhuar mirë dhe për këtë duhet t’i falënderojmë të gjithë njerëzit që kanë vënë gjithë këtë kapacitet në shërbim të mjekësisë, në shërbim të shëndetit, shoqërisë. Shëndeti i qytetarëve është i sigurt dhe në duar të profesionistëve. Ne të tjerët duhet t’i ndihmojmë mjekët dhe ata që po përballen me COVID-19 duke qëndruar në shtëpi”, deklaroi kreu i shtetit.

Kurse, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama njoftoi se asnjë pjesëtar i FSK-së nuk është i prekur nga ky virus.

Por shprehu gatishmërinë e Ushtrisë së Kosovës për t’i dalë në ndihmë çdo institucioni dhe qytetarëve.

“Jemi me fat që nuk kemi asnjë prej pjesëtarëve tonë të infektuar, jemi në ko ntakt me të gjithë. Unë mund të them që po shpresoj dhe besoj që nuk do kemi nevojë që t’i përdorim këto kapacitet tona, jemi në gjendje gatishmërie dhe çdo nevojë që paraqitet edhe prej institucioneve, por edhe qytetarëve ne jemi të gatshëm që në çdo kohë dhe moment tu dalim në ndihmë“, theksoi ai.

Ndërsa, drejtori i Qendrës Mjekësore të FKS-së, Shkëlzen Syla shpalosi kapacitet që ka kjo qendër në rast se duhet për “luftën” ndaj koronavirusit.

“Ne në qendrën tonë mjekësore së bashku me regjimentin mjekësor të komandës së logjistikës i kemi ngritur edhe kapacitetet tjera të brendshme infrastrukturore, kemi instaluar shtretër dhe kapacitetin edhe për mbajtjen, shërbimin spitalor në kuadër të Qendrës me ekipet tona. Dhe duke u bazuar në marrëveshjen e mirëkuptimit që kemi me Qendrën Klinike Universitare për bashkëpunim dhe përkrahje reciproke”, deklaroi Syla.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik deri më tani janë testuar gjithsej 766 mostra të dyshimta në virusin COVID19 dhe prej tyre, gjithsej shtatëdhjetë e një (71) raste kanë rezultuar pozitive, me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.

Ndërsa, si masa parandaluese karshi kësaj pandemia qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë masash, ndër to është kufizimi I lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve në orare të caktuara.

Komento: