Tre-vjeçarja ndërron jetë në QKUK, nëna fajëson mjekët për neglizhencë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
5 °C

Tre-vjeçarja ndërron jetë në QKUK, nëna fajëson mjekët për neglizhencë

19:48 | 11 Nëntor 2019

Rast i rëndë për familjen Saraçi nga Prishtina.

Pas shumë vitesh martesë, Lumturie Rexha Saraçi lindi një vajzë. Por, pas tri vite e gjysmë i ndodhi ajo që nuk e priste. E bija u prek nga një virus i thjeshtë, por që për të ishte fatal. Nëna po akuzon mjekët për neglizhencë në trajtimin e vajzës. Thotë se vrapoi nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare e deri në QKUK, duke kërkuar ilaç. Por, krejt çka i dhanë ishin disa terapi të zakonshme, pa kontrolle të detajuara mjekësore. Askush prej mjekëve të QKUK’së nuk u deklarua për këtë rast pavarësisht insistimeve të vazhdueshme nga gazeta. Express sjell rrëfimin e dhimbshëm të gruas që thotë se neglizhenca e mjekëve i kushtoi me humbjen e vajzës

Ishte ditë e premte. Lumturie Saraçi, nga Prishtina, mezi priste ta merrte vajzën nga kopshti e ta vazhdonte vikendin me të, pa e ditur se e këto do të ishin ditët e fundit që do t’i kalonte me vajzën e saj të vogël e të vetme që e kishte.

Vajza kishte temperaturë. Me duart e saj e dërgoi fillimisht në Qendrën Kryesore Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Aty, pediatria, sipas kësaj nëne që e humbi vajzën, e kontrolloi sa për të thënë. Njëjtë bëri edhe QKUK-ja. Sipas saj, askush nuk u mor seriozisht me gjendjen e vajzës së vogël, e cila po vinte duke e keqësuar. Vajzës tashmë kishte filluar t’i helmohej gjaku nga virusi, mjekimi i të cilit ishte i vonshëm.

Lumturia tregon për përvojën e saj treditore në spitalet kosovare dhe trajtimin që vajza e saj tashmë e ndjerë e ka marrë në QKUK e në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Por si ndodhi e gjithë kjo histori

Kishte qenë e shtuna e 21 shtatorit, dita kur Sara tashmë e ndjerë kishte pasur kontaktin e parë me mjekun pasi ishte prekur nga virusi. Nëna e saj, Lumturia e kishte dërguar vajzën e saj në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë për një kontroll rutinor ngase vajza e saj nuk po ndihej mirë me shëndet.

“ Ajo ka qenë e sëmurë, ka vjellë pak paradite të shtunën më datë 21 shtator. E kam dërgua në Pediatrinë e Qendrës kryesore këtu . Mandej vetëm ka thanë ‘Nelit’ me i dhanë dhe me ia ba një pasqyrë të gjakut”, tregon për përvojën e parë me mjekët nëna e Sarës.

Ajo thotë se vajzën e saj e në këtë Qendër nuk e kishte kontrolluar doktoresha që kishte qenë në ndërrim atë ditë.

“E kam pas tek doktoresha Diamanta. Ajo nuk e ka kontrollu. Ne në këmbë aty në zyrë kemi nejtë. Nuk ia ka dëgju frymëmarrjen, ka thanë vetëm këto analiza bëja dhe vini. Kam shku ia kam ba analizat, limfocitet i kanë dalë pak të ngrituna. Kur jam kthy, ka thanë këto i dalin zakonisht fëmijëve pak të ngrituna, po jepi pak nelit. Na jemi kthy me rezultatet e analizave tek mjekja”, thotë Lumturia.

Ajo rrëfen se pasi që kishin dalë me vajzën nga zyra e doktoreshës, vogëlushja kishte filluar që të vjellë. Nëna i kishte kërkuar udhëzim mjekës që kishte qenë në ndërrim, mirëpo sipas saj, udhëzimi i ishte mohuar.

“E shtune ka qenë ora rreth 11:30. Kur dolëm nga aty cika ka vjellë, jam kthye sërish tek drejtoresha, i kamë thanë a mundësh me ma jap një udhëzim me e cu në QKUK. Më ka thënë , jo nuk ki nevojë se është grip’.

Ditët e tmerrit në QKUK

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Lumturia thotë se vajza e saj e ndjerë nuk e mori trajtimin e duhur mjekësor. Pas kësaj, ajo e kishte marrë vajzën dhe e kishte dërguar pa udhëzim në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, fillimisht në Klinikën e Pediatrisë.

“Me taksi e kam marrë vajzën e kam çu në Pediatri në QKUK. Kur shkova më thanë jo nuk mundemi me ju pranu se nuk keni udhëzim. Iu tregova që unë e pata në Pediatri, por që solla këtu për ma mirë. Hymë brenda i thash po vjellë, më tha është virus, spitali është plotë fëmijë. M’i shkruajti disa terapi, ia dhashë në mbrëmje vajzës. Ka ora 21:0 në mbrëmje filluan vajzës me iu shfaqë disa shenja”, vazhdon tregimin e saj Lumturia.

Ajo thotë se vajzën nuk ia ndalën në spital. Trajtimin me terapitë e përshkruara këtë radhë nga mjekët e Pediatrisë së QKUK’së, ajo po ia vazhdonte në shtëpi. Por, në mbrëmje në trupin e vajzës së saj filluan që të shfaqen disa shenja.

Gati në mesnatë, ajo sërish e merr rrugën për në QKUK.

“Ka qenë ora 22:00 kur e kam çu sërish vajzën në pediatri. Më thanë nuk ka mundësi me iu shfaqë këto shenja sepse kjo është me terapi. Në dy rastet, edhe te qafa edhe në pediatri vajzën nuk e kanë prekur mjekët, te pediatria në mbrëmje veç ia ka shpluar cikës maicën pak edhe ka thanë ky rast nuk është për ne”.

E spital pas spitali, klinikë pas klinike, mjek pas mjeku, Lumturia po endej me vajzën, gjendja shëndetësore e së cilës çdo minutë e më shumë po rëndohej.

Më 22 shtator, mjekët e Pediatrisë nuk ia kishin pranuar vajzën për trajtim. Për shkak të shenjave në lëkurë atë prap e kishin referuar për në Dermatologji- tek mjeku i lëkurës.

Edhe aty i përsëritet historia e njëjtë. Mjeku që ka qenë në ndërrim, sipas nënës nuk ia kishte prekur vajzën.

“Atje kur e çova nuk e preku me dorë, veç i tha burrit çoja maicën, tha asgjë nuk ka vajza. Ajo më tha po ia shkruaj këto ilaçe ‘ndesh jepja e ndesh mos ia jep vajzës’. E mora çikën në shpi të dielën, e pash që ishte keq, të dielën gjithë ditën. Në mbrëmje prapë e kemi çu. Njëherë më thanë jo është grip, kur e kanë këqyr në Pediatri, çika veç 47 për qind e ka pas frymëmarrjen. E kanë marrë cikën pastaj e kanë shti në intensivë. E kanë mbajtë aty githë natën. Ia kanë ba EO’n, analiza, nuk i kemi ditë asnjë rezultat të analizave. Unë i pysja se cka ka cika, të shohim në mëngjes më thonin”, rrëfen ajo.

Por, pas asaj nate vajza e saj kishte vdekur. Me lot në sy, Lumturia thotë se as sot nuk e di arsyen e vdekjes së vajzës së saj.

“Unë sot nuk e di arsyen se përse më ka vdekur vajza. Na nuk dimë se nga i erdhi infeksioni, as çka ndodhi me të. Asnjë informatë. Unë sot kur po më pyesin pse të vdiq vajza, nuk po di se cak të ju them, as vetës nuk po di se çka ti them”, thotë ajo.

Për vdekjen e së bijës, Lumturia hedh akuza drejtë mjekëve kosovarë.

“Kjo është neglizhencë e mjekëve. Shumë bëjnë hajgare me jetën e një fëmije, të rrituni. Kjo i ka ndodhë fëmiut tim, mund t’i ndodhë shpejt edhe një tjetri. Si fëmijë ka qenë shumë inteligjente. Nuk o di më as vetën me e ngushëllu. T’kisht qenë sëmurë kisha thanë, por nuk ka qenë e nga e shtuna në të hënën me të shkju fëmija i shëndoshë tmerr. Dhe askush mos me t’u përgjigje”.

Ajo thotë se pas vdekjes së vajzës kanë shkuar në spital dhe i kanë kërkuar analizat e vajzës, mirëpo në Pediatrinë e QKUK’së nuk ia kanë ofruar ato.

QKUK: Këtë punë e kemi diskutuar me familjen, nuk flasim për mediat

Por, ndaj të gjitha këtyre akuzave nuk kanë dashur që të përgjigjen udhëheqësit e Klinikës së Pediatrisë në QKUK. Gazeta Express, ka marrë leje nga ana e zyrës së drejtorit të SHSKUK’së, dhe me të njëjtën ka kërkuar informacione nga klinika e Pediatrisë për tri ditë radhazi rreth këtij rasti.

Drejtoresha e Klinikës, Drita Qosaj, përmes krye shefes së klinikës i ka thënë gazetës se nuk duan që të flasin për këtë rast.

Mirëpo, në fletë lëshimin nga Klinika e Pediatrisë që e posedon Express, përshkruhen ankesat me të cilat Sara Saraqi 3 vjeçe e gjysmë kishte shkuar në Pediatri.

“Ulje e temperaturës trupore, kollitje, vjlleje e barkë qitje, lodhje”, janë disa nga diagnozat.

Nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare: Ne e kemi kontrolluar vajzën, kemi kërkuar që të bëjë analiza

Por, deklaratat e nënës se mjekët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë nuk ia kanë kontrolluar vajzën, po i mohojnë këta të fundit.

Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të kësaj qendre, Rrezart Halili, mjekja e Diamanta që punon në këtë qendër e kishte kontrolluar Sarën si dhe i kishte përshkruar terapi.

Ai thotë se menjëherë pas kontrollit që sipas tij ia ka bërë vogëlushes mjekja Diamanta, vajza është referuar për analiza urgjente. Por, pas marrjes së analizave, nga Qendra thonë se nëna nuk ishte kthyer më për konsultë.

Komento: