Tri shtete sollën ushtarë në Kosovë

21:47 | 12 Tetor 2023
tri-shtete-sollen-ushtare-ne-kosove

Sekretari i Përgjithëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se Aleanca-Veri Atlantike, ka shtuar praninë e saj në Kosovë dhe se po mbikqyr me kujdes situatën aty.

Kjo në kontekstin e ngjarjes së 24 shtatorit kur në Banjskë të Zveçanit një grup i armatosur, që u shpall terrorist, sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku e plagosur policin Alban Rashiti.

Qeveria e Kosovës, akuzon Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi, por Beogradi mohon gjithçka.

“NATO ka një histori e përgjegjësi në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë në veçanti, dhe ne e marrin këtë shumë seriozisht. Tani ne kemi rritur praninë tonë me qindra trupa në Kosovë. Me batalione nga Rumania, Bullgaria e Mbretëria e Bashkuar. Ka një situatë të tensionuar dhe të vëahtirë që ne po e ndjekim me kujdes. Kemi rritur praninë tonë sidomos në veri (të Kosovës)”, tha Stoltenberg, në konferencën për media që e mbajti të enjten në Bruksel.

Në kryeqytetin evropian ku e ka selinë NATO-ja, të mërkurën dhe të enjeten u mbajt takimi i ministrave të mbrojtjes së shteteve anëtare të Aleancës. Stoltenberg, bëri thirrje që Kosova e Serbia menjëherë t’i kthehen dialogut.

“Beogradi dhe Prishtina duhet të sillen me përgjegjësi, që të përmbahen nga veprimet destabilizuese dhe të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo është mënyra e vetme për paqen e qëndrueshme në Kosovë”, shtoi Stoltenberg.

Komento: