
Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të premten se ka miratuar shitjen e 500 raketave Patriot PAC-3 për Ukrainën, në vlerë të vlerësuar prej 2.1 miliardë dollarësh.
Sipas njoftimit, Ukraina do të financojë blerjen e raketave përmes kontributeve të Kanadasë, Gjermanisë dhe Norvegjisë, të cilat do të kanalizohen përmes programit amerikan JUMPSTART, si dhe përmes fondeve kombëtare të siguruara nga Huaja e BE-së për Mbështetjen e Ukrainës.
Kompania amerikane Lockheed Martin do të jetë kontraktori kryesor për këtë shitje.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte deklaruar në fillim të kësaj jave se Ukraina po priste prej gati një muaji miratimin amerikan për furnizimin me raketa të rëndësishme, në një kohë kur Rusia kishte intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe asaj civile.
Udhëheqësi ukrainas i ka kërkuar vazhdimisht SHBA-së që të përshpejtojë dërgesat e raketave, të cilat blihen nga aleatët e NATO-s dhe furnizohen përmes programit të njohur si PURL.
Kievi kërkon që furnizimet të përshpejtohen përpara fillimit të dimrit, kur infrastruktura energjetike e vendit përballet me rrezik të shtuar nga sulmet ruse. /Telegrafi/