Vajza 4-vjeçare bie nga kati i pestë, fqinjët e shpëtojnë mrekullisht duke e pritur me batanije

09:15 | 15 Gusht 2026

Një ngjarje dramatike që për pak sa nuk përfundoi në tragjedi ka ndodhur në qytetin Lomza, në verilindje të Polonisë, ku një vajzë 4-vjeçare ka rënë nga ballkoni i katit të pestë të një ndërtese. Falë reagimit të menjëhershëm të fqinjëve, e vogla ka shpëtuar mrekullisht.

Sipas raportimeve të mediave polake dhe pamjeve të kamerave të sigurisë që po qarkullojnë me shpejtësi në rrjetet sociale, tre burra kanë reaguar brenda pak sekondash duke hapur një batanije poshtë pallatit, me anë të së cilës arritën ta prisnin fëmijën në momentin e rënies.

Shërbimet e emergjencës kishin marrë njoftim për një fëmijë që po qëndronte e varur në parmakët e ballkonit, por fqinjët ndërhynë para se ekipet e shpëtimit të mbërrinin në vendngjarje. Si rezultat i pritjes me batanije, e vogla i mbijetoi rënies duke pësuar vetëm disa mavijosje të lehta.

Zëdhënësja e policisë, Karolina Wojciekian, theksoi se falë veprimit të shpejtë të qytetarëve u shmang një tragjedi e madhe.

Njëri nga fqinjët që mori pjesë në shpëtim, Dariusz Plonski, përshkroi momentet e ankthit.

“Kur dola nga ndërtesa, dëgjova britmat e njerëzve. Pashë lart dhe pashë fëmijën, e cila ishte pothuajse e zhveshur, vetëm me një bluzë. Ajo po lëvizte nga njëra anë në tjetrën të parmakut. I bërtita të mos lëvizte, por nuk reagoi. Gjithçka ishte çështje sekondash. Kur pashë që u zhvendos, mezi patëm kohë të lëviznim batanijen në pozicionin e duhur që ajo të binte mbi të”, tha ai.

Sipas njoftimit të policisë, nëna e vajzës ishte në gjumë në banesë gjatë kohës që ndodhi incidenti, ndërsa babai i saj ndodhej jashtë vendit. Pas testimit nga autoritetet, nënës iu konstatua një nivel prej 0.7 promilë alkool në gjak. Nëse ajo akuzohet zyrtarisht për ekspozimin e fëmijës ndaj rrezikut për jetën apo lëndimeve të rënda, mund të përballet me një dënim deri në 5 vite burgim.

https://x.com/radiobialystok/status/2086796218127012176

Komento: