Vendimi i Qeverisë për 100 euro për pensionistë dhe fëmijë/ Kadrijaj: Po bëhet për ta ruajtur votën

18:10 | 14 Dhjetor 2023
vendimi-i-qeverise-per-100-euro-per-pensioniste-dhe-femije/-kadrijaj:-po-behet-per-ta-ruajtur-voten


Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj deklaron për Front Online se duke parë vendimet e qeverisë, kjo e fundit është më shumë e interesuar për vendime populiste.

Madje, thotë se kjo po bëhet më shumë për ta ruajtur votën.

“Unë vlerësoj që prej qeverive të kaluara që kanë qenë të interesuara për investime kapitale për ta fuqizuar biznesin dhe mirëqenien e qytetarit përmes pagave, kjo qeveri si duket është e interesuar më shumë për vendime thjesht populiste në emër të asaj që po ndikon në mirëqenien e qytetarit, por më shumë e ka për ta ruajtur votën”, është shprehur Kadrijaj për Front Online.

Ai vlerëson se më mirë do të ishte që të fuqizoheshin bizneset dhe të rriten pagat.

“Më mirë do të ishte që të fuqizonte biznesin dhe të rriste mirëqenien e të punësuarve duke u ngritur pagat sepse më mirë është të fuqizohen pagat dhe ai kryefamiljar apo ai i punësuar të mendoj vet për familjen e vet, e jo të mendojë për përkrahje një muaj të një vlere të caktuar që ka menduar Qeveria”, ka shtuar ai.

Pas vendimit të Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët ka reaguar të mërkurën edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi.

Ai ka thënë se po vazhdon blerja e votës me mjete të taksapaguesve.

Kurse, Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa është shprehur se Kurti po i mbanë qytetarët të varur nga ndihmat simbolike të kohëpaskohshme, pa u ofruar zgjidhje të qëndrueshme.

Pensionet në Kosovë dallojnë nga 100 deri në 265 euro, varësisht prej kontributit.

Nga janari e deri në korrik të këtij viti, Kosova ka shpenzuar mbi 305 milionë euro në përkrahje financiare për personat e pensionuar dhe për ata që janë në skema të ndryshme sociale./Front Online

Komento: