Zyrtari i EEAS viziton Manastirin e Banjskës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit

09:48 | 13 Tetor 2023
zyrtari-i-eeas-viziton-manastirin-e-banjskes-pas-sulmit-terrorist-te-24-shtatorit

Drejtori/Zëvendës Drejtori Menaxhues për Evropën i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Marko Makovec, po qëndron në Kosovë për një vizitë zyrtare dyditore.

Siç ka njoftuar Zyra e BE-së në Kosovë, Makovec gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Banjskë të Zveçanit, atje ku më 24 shtator pati sulm terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunajku nga një grup terrorist serb, i udhëhequr nga atëherë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.

Makovec thuhet se ka takuar përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Manastirin e Banjskës “dhe diskutuan rolin e udhëheqësve fetarë në nxitjen e marrëdhënieve paqësore ndërkomunale”.

Po ashtu, gjatë ditës së djeshme Makovec, nën shoqërimin e ambasadorit të BE-së në Kosovë Tomas Szunyog dhe shefit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, ka takuar edhe disa bashkëbisedues në veri të Kosovës, përfshirë shoqërinë civile dhe u informua nga EULEX-i.

“Vizita, e cila përfundon sot me takime në Prishtinë, tregon interesin dhe angazhimin e fortë të BE-së në Kosovë”, ka thënë Zyra e BE-së në Kosovë.

Nga Manastiri i Deçanit u tha se zyrtari i BE-së, bashkë me ambasadorin e BE-së në Kosovë Tomas Szunyog dhe shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, u pritën nga peshkopi Teodosije i Dioqezës Rashkë-Prizren dhe nga Ati Danilo, igumeni i Manastirit të Banjskës.

Në njoftim u tha se delegacioni i BE-së u përfshi në një diskutim me nikoqirët për çështje aktuale.

“Një pikë kryesore e bisedës ishte nevoja e theksuar për dialog konstruktiv si qasja e vetme për tejkalimin e rrethanave sfiduese që arritën kulmin me ngjarjet tragjike të 24 shtatorit”, u tha në njoftimin e Manastirit të Deçanit.

Makovec para ardhjes në Kosovë qëndroi në Serbi, ku mori pjesë në Konferencën e Sigurisë së Beogradit (BSC).

Në njërin nga panelet e kësaj konference, ai tha se “dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka të bëjë me një marrëveshje që do të ndryshojë karakterin e Serbisë dhe ta bëjë Kosovën shtet”.

Komento: