
Emmanuel Macron ka zhvilluar sot një takim me Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vuçiqin.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një takim të ndërmjetësuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka takuar sot edhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti Thaçi në këtë takim ka konfirmuar se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë, në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit në Kosovë dhe integrimit në NATO dhe Bashkim Evropian.

“Në margjina të Forumit të Paqes në Paris, me ndërmjetësim të Presidentit Macron zhvillova një takim edhe me Presidentin e Serbisë.
Në këtë takim rikonfirmova se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila duhet të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara, por edhe më shumë paqe e stabilitet në tërë rajonin tonë. HTH”, ka shkruar Thaçi pas takimit.
Presidenti Thaçi po qëndron në Francë, në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, me ftesë të presidentit Macron. Ky i fundit vazhdimisht po insiston që Franca të përfshihet direkt në dialogun Beograd-Prishtinë. /ORAinfo/