Osmani flet për bojkotin e PDK-së: Është vendim politik, filloi në natën kur u votua Qeveria

12:56 | 10 Shkurt 2020

PDK ka bojkotuar edhe këtë të hënë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së dhe Grupi Parlamentar i kësaj partie janë duke bojkotuar mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për shkak që kryeparlamentarja Vjosa Osmani e ka zhvendosur fotografinë e presidentit.

Por, Vjosa Osmani ka insistuar se bojkoti i PDK-së ka nisur në natën kur është votuar qeveria dhe se fotografia e presidentit është vetëm arsyetim.

“Nuk ka vendim për heqje të fotografisë. Ka vetëm zhvendosje në pozitën e përcaktuar me ligj – ligji në të cilin kam punuar edhe vet në hartimin e tij po respektohet në tërësi”.

“Ta them një gjë qartë dhe mirë: kjo temë është e mbyllur. PDK-ja ka filluar bojkotin ndaj institucioneve më 3 shkurt, pra nëse ata duan që të gjejnë arsyetime se si e dekoroj unë zyrën time le të përdorin arsye të tilla, sepse nuk e gjejnë guximin ta tregojnë të vërtetën”.

“Bojkoti i tyre ka filluar më 3 shkurt në mbrëmjen kur u votua Qeveria e Kosovës dhe më pas kur u votova edhe unë si kryetare e Kuvendit. Bojkoti i tyre është politik dhe nuk ka asnjë lidhje tjetër me temat që po i përdorin si arsyetimi”.

“Bojkoti nuk ka filluar as më 4 shkurt në mëngjes dhe as më 5 shkurt, por ka filluar më 3 shkurt kur e lëshuan sallën dhe nuk morën pjesë madje as duke votuar kundër në zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës dhe as në zgjedhjen e kryetares së Kuvendit”.

“Pse e bëjnë këtë bojkot politik dhe tentojnë të bllokojnë punën e institucioneve është çështje që duhet t’ia adresoni atyre”.

Osmani në konferencën pas mbledhjes së Kryesisë ka ftuar deputetët e opozitës që të kthehen

“Deputetët e opozitës më shumë se sa detyrim ndaj Kuvendit kanë detyrim ndaj qytetarëve që i kanë votuar që të përfaqësojnë interesat e tyre në Kuvendin e Kosovës. Përfaqësimi i këtyre interesave fillon nga mbledhjet e kryesisë ku ne përcaktojmë në mënyrë të përbashkët agjendën për seanca, edhe pse unë kam të drejtë kushtetuese që ta përcaktoj agjendën edhe vet, por nuk dua të ndërtohet një model të tillë siç ishte ndërtuar nga kryetari paraprak”.

“Deri sot çdo vendim që e kemi marrë ka qenë me unanimitet të plotë dhe dua t’i falënderoj grupet parlamentare të opozitës – AAK dhe Nisma – për konstruktivitetin, bashkëpunimin dhe mbi të gjitha për përfaqësimin e drejtë të votuesve të tyre”.

“Deputeti zgjedhet për ta përfaqësuar interesin e qytetarëve. Ai interes përfaqësohet më së miri dhe më së drejti, në veçanti kur je opozitë, në Kuvendin e Kosovës. Nuk ka asnjë arsye për bojkot, prandaj edhe shpresoj që do ta ndryshojnë këtë qasje dhe do t’i bashkohen të gjithë deputetëve të tjerë që të arrijmë në veçanti unitet për çështje të interesit nacional, sepse me sfidat që ka përpara Kosova është tejet i nevojshëm”.

“ Shpreh gatishmërinë time të plotë që të punoj dhe koordinohem me secilin grup parlamentar. Grupi Parlamentar i PDK-së e di shumë mirë që kur ka pasë nevojë për një bashkëpunim të tillë në interes të vendit ne si LDK, por edhe unë personalisht, nuk kemi hezituar asnjëherë”.

Komento: