Huazimi i gazit lotsjellës për policinë e Shqipërisë, sqarohet policia e Kosovës

14:53 | 11 Shkurt 2020

Policia e Kosovës ka dalë me sqarim lidhur me huazimin e gazit lotsjellës Policisë së Shtetit të Shqipërisë vitin e kaluar, duke thënë se një gjë e tillë është ndërmarrë në pajtim me marrëveshjet e bashkëpunimit midis dy institucioneve policore dhe pëlqimin e dy ministrive kompetente.

Në aspektin ligjor paraprakisht janë marrë mendimet pozitive edhe nga Zyra ligjore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RKS-se dhe e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe pëlqimin e dhënë nga kompania prodhuese e gazit lotsjellës.

Bazuar në procedurat e parapara ligjore, marrëveshjen e bashkëpunimit të hartuar mbi bazën ligjore, pëlqimin dhe autorizimin e ministrive kompetente, pëlqimin e kompanisë dhe mendimin pozitiv të zyrave ligjore, është bërë huazimi i gazit lotsjellës.

Mbi bazën e bashkëpunimit ndërinstitucional, me shtetet fqinje në këtë rast jo vetëm me Shqipërinë, Policia e Kosovës shkëmben personel policor, patrullime dhe trajnime të përbashkëta si dhe pajisje logjistike sipas nevojës.

Policia e Kosovës inkurajon mediat dhe gazetarët që para publikimit të informacioneve t’i drejtohen policisë për sqarimin e informacioneve dhe marrjen e informatave zyrtare, në mënyrë që të ketë informim të drejtë, pasi të gjitha veprimet e ndërmarra janë realizuar sipas ligjeve në fuqi.

Komento: